Dje, më 2 mars 2015, në fshatin Strezoc të Kamenicës e në një manifestim modest u vu gurthemeli i xhamisë, ku përveç përfaqësuesve të fshatit e të Këshilli të BI-së të Kamenicës, të pranishëm qenë edhe anëtarë të Kryesisë së BIK-së, përkatësisht drejtori për Veprimtari Botuese në Kryesinë e BIK-së, Ahmet ef. Sadriu, si dhe kryetari i Kamincës, z. Begzad Sinani.
Të pranishmit fillimisht i përshëndeti kryetari i Këshilli të BI së Kamenicës, Remzi ef. Kastari, i cili edhe u dëshiroi mirëseardhje, për të përgëzuar më pas xhematin e Strezocit për ndërtimin e xhamisë së re.
Në emër të myftiut Naim ef. Tërnava dhe në emër të Kryesisë së BIK-së fjalën e mori Ahmet ef. Sadiu, i cili përshëndeti dhe uroi të gjithë të pranishmit, ndërsa foli për rëndësinë që ka xhamia në edukimin dhe fisnikërimin e xhematit në përgjithësi, e brezi të ri në veçanti. “Xhamia është vend ku adhurohet Krijuesi i gjithësisë, vend ku edukohet e orientohet drejt masa e gjerë. Rolin e xhamisë më së miri e kuptojmë nga veprimi i të Dërguarit të Zotit, Muhamedit a.s., i cili punën e parë që bëri me të arritur në Medinë qe fillimi i ndërtimit të xhamisë”, tha Ahmet ef. Sadiu, që gjithashtu, për bashkëpunimin me Këshillin e BI-së, falënderoi edhe organet komunale, e posaçërisht kryetarin e Kamenicës.
Ndërsa, në anën tjetër, kryetari i Kamenicës, z. Begzad Sinani, pasi i përshëndeti të pranishmit, tha se komuna e Kamenicës është në shërbim të komuniteteve dhe gjithë qytetarëve. Ai më tutje tha se ka bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e BI-së, për krijimin e kushteve sa më të mira për besimtarët, respektivisht qytetarët e komunës së Kamenicës. Kryetari Begzad Sinani u shpreh se edhe në të ardhëm do të bashkëpunojë me Këshillin e BI-së, për ngritjen e infrastrukturës së nevojshëm për besimtarët, kudo që është e nevojshme.