Prishtinë, 13 maj 2021
Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka marrë pjesë në shpërndarjen e 600 dhuratave për fëmijët, në ditën e parë të Fitër-Bajramit, të organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Mitrovicë.
Pasditen e së enjtes sheshi i qytetit të Mitrovicës, kishte atmosferë festive. Organizatorët u shpërndanë dhurata fëmijëve me Sindromë Down, atyre nga Shkolla Speciale dhe fëmijëve nga komunitetet e ndryshme në këtë komunë.
Këtë iniciativë të Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë e përshëndeti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili përmendi se dhuratat e tilla në një ditë kaq të veçantë kanë rëndësi të madhe për shkak të gëzimit që sjell tek këta fëmijë.Me një fjalë rasti këtë organizim e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ndërsa, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Enis ef. Rama, potencoi se iniciativat e tilla të cilat kanë për qëllim gëzimin e fëmijëve duhet të jenë çdo herë prioritet për të gjithë besimtarët. Ai mes tjerash falënderoi gjithë xhematin, të cilët kanë mundësuar gëzimin e këtyre fëmijëve me anë të këtyre dhuratave.
Pjesë e këtij organizimi ishte edhe drejtoresha Rajonale e Policisë në Mitrovicë, Afërdita Mikullovci së bashku me komandantin e stacionit, Ahmet Xhosha.