Menjëherë pas kalimit të pikës së kontrollit në vendkalimin kufitar në Morinë, në anën e djathtë të autostradës do të shohim se si dita ditës do të ngriten muret e tempullit fetar – xhamisë së fshatit Shkozë, që për banorët e kësaj ane është një ëndërr dhe dëshirë e kahmotshme e cila po bëhet realitet.
Paraditen e së enjtes të datës 20.06.2013, një numër i konsideruar i xhematit ishin mbledhur rrëzë kodrës së fshatit, të cilët me padurim prisnin fillimin e ceremonisë së vënies së gurthemelit të xhamisë së re, e cila njëherit konsiderohet edhe xhamia e parë në territorin e Kosovës pas kufirit me Shqipërinë mëmë.
Delegacioni i kryesuar nga Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, i shoqëruar nga ndihmësi Fatmir Iljazi dhe drejtorët e shërbimeve mediale dhe financiare, Ahmet Sadriu dhe Kasim Gërguri, u pritën në një atmosferë të ngrohtë nga Kryetari i Këshillit të BI të Prizrenit, Lutfi Ballëk me bashkëpunëtorë, në mesin e qindra besimtarëve të Malësisë së Vrrinit.
Siç e don tradita, manifestimit i priu leximi i disa verseteve kur’anore nga sekretari i Këshillit të BI – Prizren, Orhan Bislimaj, i cili më pas i përshëndeti të pranishmit dhe ftoi nikoqirin Ballëk dhe të ftuarin e Kryesisë, z. Bajgora për fjalë rasti, para se të hedhej gurthemeli i xhamisë nën melosin e ëmbël të tekbireve.
Kryetari i Këshillit të BI të Prizrenit, Lutfi Ballëk, tha se, “sot është një ditë e veçantë për banorët e këtij vendi, andaj edhe ne jemi të privilegjuar që sot me ju kremtojmë këtë ditë të madhe. Dëshira e madhe e banorëve të Shkozës sot po bëhet realitet. Ju banorë që në ditët më të vështira i dolët zot këtij vendi, ju nuk u kursyet me aq. Ju ndërtuat edhe rrugë, edhe shkolla edhe spitale, po sigurisht që as kjo nuk u mjaftoi, gjersa të shihnit edhe xhaminë nga ku do të jehonte zëri për thirrje në paqë dhe shpëtim. Ky është një fillim i mbarë, shpresojmë që sa më parë të përfundojë edhe ky projekt, duke iu falenderuar secilit veç e veç për vullnetin e tyre të mirë dhe iniciativën që edhe ky vend të zbukurohet me një minare. Xhamitë i shërbejnë mirësisë, aty edukohen brezat e rinj, që të urdhërojnë në të mira e të ndalojnë nga të ligat. Kjo iniciativë le t’shërbejë si shembull për ato pak fshatra dhe zona që kanë mbetë akoma pa xhami, të plotësohen edhe ato në një të ardhme sa më të afërt.”
Më tej, në fjalën me të cilën, Kryeimami Sabri ef. Bajgora, iu drejtua të pranishmëve, u tha se: “Pas ndërtimit të rrugës së re, duket se edhe ne si Bashkësi Islame po lajmë një borxh ndaj banorëve të kësaj ane të Malësisë së Vërrinit, gjegjësisht të fshatit Shkozë të komunës së Prizrenit, të cilët historikisht dhuruan aq shumë për vendin e tyre, duke mos kursyer gjak as mall, që sot të frymojmë lirshëm në Kosovën tonë të lire e të pavarur.
Prandaj, unë në emër të Myftiut Ternava dhe në emër të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, ju shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta me rastin e vënies së këtij gurthemeli, të kësaj xhamie, të këtij objekti fetar, të këtij objekti të dijes, të devotshmërisë dhe vendi ku do të adhurohet Allahu. Nuk ka dyshim se, jovetëm për KBI Prizren dhe jo vetëm për banorët e fshatit Shkozë, por për t”gjithë besimtarët, vënia e këtij gurthemeli është një nder i madh, sepse dalëngadalë po i afrohemi shifrës së 800 xhamive në Kosovë, prandaj edhe kjo xhami do të jetë një varg në xherdanin e pashkëputur të objekteve ku adhurohet i Madhi Zot. Allahu në Kur’anin fisnik thotë: “me të vërtetë, të denjë në ndërtimin të xhamive, janë ata që e besojnë Allahun dhe ditën e fundit, ata që falin namazin dhe e japin zekatin ….”{gallery}shkoze{/gallery}
Në këto hapësira të shenjta në tokë që Allahu i ka veçuar për adhurim, ne e vendosim ballin tonë në sexhde, dhe i përulemi Krijuesit tonë. Prandaj, nuk ka nder dhe privilegj më të madh se sa që një krijesë, një rob, me përulësinë më të madhe t’i lutet Krijuesit të tij për mirëqenien, në rradhë të parë familjare dhe kombëtare. Lutem që kjo xhami të shembëllejë si një fanar i cili kurrë nuk do të fiket, por drita e tij të ndriçojë e të rrezatojë në vazhdimësi, që neve t’na përfshijë edhe nuri i Allahut, që zemrat tona të rrahin gjithnjë me besimin e patundshëm në Krijuesin tonë fuqiplotë.
P.a.s. thotë: ”ai njeri që kontribuon për ndërtimin e një xhamie, Allahu xh.sh. do t’ia ndërtojë atij nesër, një shtëpi në xhenet”.
Prandaj nga zemra ju uroj të gjithëve, sepse të gjithë jemi hisedar në këtë xhami, duke e lutur Zotin që kjo xhami të jetë vend i dijes, vend i shkollimit dhe edukimit. Për hajr ju qoftë”.