Përfaqësuesit e Kryesisë vizitë në  Këshilla e BI në vigjilje të Ramazanit
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i shoqëruar nga ndihmësi i tij Fatmir Iljazi dhe drejtorët e dikastereve për media dhe botim, Ahmet Sadriu dhe atij për financa, Kasim Gërguri në prag të muajit të Ramazanit ka vizituar Këshillat e BIK.

Kjo është hera e dytë gjatë këtij viti, që Kryeimami Bajgora me bashkëpunëtorë, viziton Këshillat vendore të BIK me radhë, si rezultat i përmbushjes së objektivave (për të ardhmen)  të parapara me programin e Zyrës së Kryeimamit për vitin 2013, në drejtim të rimëkëmbjes dhe përmirësimit të jetës fetare nëpër Këshillat përkatës.
Gjatë vizitave të tij nëpër Këshilla, në takim me imamët e çdo komune, Kryeimami Bajgora kërkoi që imamët të jenë në nivelin maksimal të detyrës, të përmbushin obligimet e tyre karshi qytetarëve, të jenë aktiv, të respektojnë, të mbrojnë dhe të garantojnë  të drejtat dhe liritë e çdo qytetari, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo fetare, në pajtim me urdhërat e dala nga Kurani dhe Pejgamberi Muhamed a.s. Qëllim esencial dhe objektiv i këtij takimi, padyshim që ishte bashkërenditja dhe koordinimi i zhvillimit të aktiviteteve të Ramazanit, në mes të BIK dhe Këshillave të BIK.
“Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, gjegjësisht sektori që unë drejtoj, do të vazhdojë të realizojë me efikasitet detyrimet dhe obligimet e saja ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës, me bindje të plotë se bashkëpunimi ndërvëllazëror edhe më tej do të jetë në themel të punës së këtij institucioni”, u shpreh Sabri ef. Bajgora.
Ahmet Sadriu, përgjegjës për media dhe botim, iu bëri apel imamëve, që të jenë prezent në media sa herë që e kërkon nevoja, qofshin ato të shkruara apo vizive, por të jenë shumë të kujdesshëm gjatë paraqitjes së tyre, të jenë të matur, të vëmendshëm e vigjilent, e t’mos bien pre e provokimeve të njerëzve të papërgjegjshëm apo politikave ditore. Sadriu, gjithashtu kërkoi nga imamët që të furnizojnë me kohë qytetarët me literaturën e botuar islame si dhe me Vaktijat e Ramazanit të botuara nga Kryesia, që si çdo vit shpërndahen falas për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Referenti financiar i BIK, Kasim Gërguri, shprehu konsideratën e tij më të lartë dhe falenderoi imamët dhe xhematin për gatishmërinë e tyre në dhurimin e kontributeve  materiale, për mbarëvajtjen e punës dhe veprimtarisë së institucionit të BIK, dhe njëkohësisht apeloi që të vazhdojnë ta mbështesin institucionin e tyre shpirtëror edhe në të ardhmen, duke u bërë hisedar në këtë mënyrë, në funksionimin sa më të rregullt të Bashkësisë Islame të Kosovës, departamentit të Gruas dhe atij të të Rinjve, Fakultetit të Studimeve Islame dhe Medresesë së Mesme “Alaudin” në Prishtinë, me dy paralelet e saja në Prizren dhe Gjilan. 
Vizitat e delegacionit të Kryesisë nëpër Këshilla, të gërshetuara me aktivitete, do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, , gjer në përfundim të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Filloi viti i ri akademik në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë

Prishtinë, më 2 tetor 2024 Sot, me një ceremoni solemne ka filluar viti i ri akademik në F…