Prishtinë, 19 dhjetor 2017

Myftiu i Republikës së Kosovës, mr. Naim Tërnava me stafin e tij, mori pjesë në shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë. Në këtë eveniment që u mbajt në sallën e konferencave të Fakultetit të Studimeve Islame, përveç dekanatit, stafit akademik dhe studentëve të FSI-së, ishin të pranishëm edhe ish-presidenti i Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup prof. asoc. dr. Fahredin Ebibi, zv/ministri i Arsimit z. Heset Sahiti, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane të Universitetit Bedër prof. asoc. dr. Rahim Ombashi, përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës prof.dr. Mehmet Halimi, rektori i Universitetit “AAB” prof.dr. Lulzim Tafa, përfaqësuesi i Dianetit të Turqisë, përfaqësuesi i Fondacionit Turk “Maref”, përfaqësuesi i institutit “Junus Emre”, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame të Universitetit Bedër dr. Genti Kruja, msc. Veton Tulla lektor në këtë departament dhe shumë personalitete të tjera të jetës fetare, akademike dhe shkencore të trevave shqiptare.

Në fjalën e tij, dekani prof. dr. Fahrush Rexhepi theksoi se muaji dhjetor i vitit 1992, për Fakultetin e Studimeve Islame, është muaji më i njohur dhe momenti më i rëndësishëm sa i përket arsimit të lartë islam në trojet shqiptare. 15 gushti i vitit 1992, kur Kuvendi i Bashkësisë Islame i Kosovës ka marrë vendim për themelimin e FSI-së dhe muaji dhjetor i të njëjtit vit kur kanë filluar të mbahen ligjëratat e para, përbëjnë një vit jubilar me rëndësi historike për Fakultetin e Studimeve Islame, sepse është hapur një kapitull i ri për zhvillimin e kulturës islame në Kosovë e më gjerë. Tani, pra, për herë të parë kemi një institucion të arsimit të lartë islam në trojet shqiptare. “Falënderojmë një plejadë të tërë mësimdhënësish të cilët kanë kontribuar pplot një çerekshekull që fakulteti jonë të arrijë këtu ku është sot. Veçmas i përkujtojmë dhe lutemi për profesorët të cilët kanë kaluar në botën tjetër si: Mulla Sherif Ahmetin, akademik Pajazit Nushin, profesor Isa Bajçincën, etj. Falënderojmë për kontribut edhe dr.Rexhep Bojën, dr.Qazim Qazimin, Qemajl Morinën dhe gjithë stafin mësimdhënës”,- theksoi dekani Rexhepi.

Myftiu i Kosovës, mr. Naim Tërnava duke përshëndetur këtë përvjetor falënderoi të gjithë ata pedagogë që kanë kontribuar në rritjen dhe avancimin e jetës së këtij fakultetit që tashmë po shënojmë 25 vjetorin e tij dhe çmoi lart punën dhe aktivitetet që është duke i bërë Fakulteti i Studimeve islame në Prishtinë.

Myftiu Tërnava po ashtu çmoi lart edhe kontributin e ish-myftiut dhe dekanit të parë të FSI-së, dr.Rexhep Boja, që ka dhënë në shërbim të Fakultetit dhe studentëve. Ai më tej tha se ishte kërkesa dhe këmbëngulja e tij që të hapet një institucion i lartë arsimor islam në Kosovë.

”Sikur edhe deri tash BIRK-u do të përkrahë në vazhdimësi këtë vatër të dijes dhe arsimit, e cila po e edukon kombin tonë edhe në aspektin fetar. Ne sot duhet të shpërfaqim edhe identitetin tonë fetar, feja është pjesë e identitetit, koha e sistemit komunist tashmë ka kaluar. Ne sot me krenari e themi se jemi shqiptarë të këtyre trojeve, Zoti na ka krijuar që të jemi pjesë e Evropës, por kemi edhe përbërësin islam të identitetit tonë dhe me këtë ne krenohemi dhe nuk ka pse të na vijë keq fare që i takojmë këtij besimi. Shoqëria jonë edhe më duhet të integrohet në familjen e madhe evropiane, sepse është shembull për të mirë dhe është shoqëri që çon proceset përpara edhe brenda Bashkimit Evropian. Në si myslimanë shumicë në Kosovë kemi edhe të drejtë të kërkojmë të lëvizim më lirshëm pa viza, që të jemi pjesë e BE-së dhe në këtë drejtim ka dhënë dhe jep kontribut edhe më të madh edhe vetë FSI-ja e dhe vetë stafi akademik i këtij fakulteti, i cili është duke bërë një punë madhore”,- tha Myftiu Tërnava

Ai më tej ka theksuar se Fakulteti është një shëmbëlltyrë që duhet ndjekur dhe se BIRK-u do të punoj për të ardhmen që FSI-në ta bëjmë universitet islam, të kemi edhe drejtime të tjera dhe nuk do të kursejmë e do ta mbështesim edhe financiarisht sikur që e kemi përkrahur deri më sot. Këtë eveniment me jë fjalë rasti e përshëndetën edhe ish-presidenti i Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu, zv/ministri i Arsimit z. Heset Sahiti, rektori i Universitetit “AAB” prof.dr. Lulzim Tafa, prof. Rrahim Ombashi në emër të Kolegjit Universitar “ Bedër” dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Humane.
Ky solemnitet u përmbyll me shpërndarjen e disa mirënjohjeve nga ana e dekanatit të FSI-së.
Ndërsa në orën 14.00, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare Universitare “Pjetër Bogdani” u bë promovimi i monografisë së Fakultetit të Studimeve Islame, ku morën pjesë personalitete të shumta nga jeta akademike dhe ajo shkencore.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt program festiv për nder të 28 Nëntorit në “Medresenë Alauddin”

Prishtinë, më 27 nëntor 2024 Në ambientet e “Medresesë Alauddin” u organizua një program f…