Prishtinë, 20 gusht 2009

 

 

 

Urimi i Myftiu të Kosovës, Mr. Naim Tërnava për besimtarët dhe qytetarët e Kosovës  me rastin e fillimit të  muajit të Ramazanit
Të nderuar besimtarë!
Nesër, më 21.08.2009, është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit, muajit të mëshirës, të faljes, të bereqetit e të mirësisë, andaj kam kënaqësinë që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet më të mira, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë e të pranuar tek Krijuesi ynë.

Agjërimi është një prej ibadeteve më madhështore të cilin besimtarët me plotë devotshmëri e sinqeritet e kryejnë për hir të Allahut xh.sh., ibadet për të cilin Allahu na ka urdhëruar në Kuranin fisnik që ta agjërojmë muajin e shenjët të ramazanit..

Lidhur me këtë, Allahu i Gjithmëshirshëm në Kur’an, thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra, kush nga ju që arrin këtë muaj le ta agjëroj ”. (El-Bekare, 185).

Agjërimi i Ramazanit besimtarit i ofron vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, flijimit e sinqeritetit, ngase ai e bënë njeriun më të dashur, më fisnik, më human, më të afërm e më mirënjohës ndaj Krijuesit të Gjithësisë. Agjërimi në muajin e madhëruar të Ramazanit besimtarëve u ofron rastin për pendim, dhe kërkimfalje.
Muaji i Ramazanit, përmes agjërimit, njeriut i mëson parimet e dashurisë dhe sinqeritetit ndaj familjes, ndaj fqinjit, ndaj rrethit dhe shoqërisë.
Sa herë që vjen muaji i madhëruar i Ramazanit, besimtarët kanë rastin që të kujtojnë me dinjitet e respekt të kaluarën e lavdishme, ngase ky muaj i bekuar risjell në kujtesën e besimtarëve  zbritjen e Kuranit famëlartë Muhamedit a.s., risjell në kujtesën e besimtarëve fitoren e Bedrit dhe shumë ngjarje tjera të rëndësishme që ndodhen në këtë muaj përgjatë historisë.
Ky muaj besimtarëve po ashtu u ofron edhe mundësinë që të përfitojnë nga mëshira e Zotit në Natën e madhe të Kadrit, për të cilën Krijuesi na ka premtuar shpërblim të shumëfishtë.
Besimtarët e agjërojnë Ramazanin, sepse duke agjëruar atë, arrijnë shkallën më të lartë të devotshmërisë dhe të përkushtimin ndaj Zotit, që është edhe porosia fondamentale e këtij muaji të madhëruar dhe synimi i këtij detyrimi.
Agjërimi i cili është urdhër nga Allahu për besimtarët, përveçqë që është ibadet që kërkon një sakrificë, përkushtim e përmbajtje, ai për besimtarin është edhe mburojë, sepse e ruan atë nga gjynahet dhe e largon nga punët e liga.
Besimtarë të nderuar!
Agjërimi s’do mend se duhet të shoqërohet edhe me vepra, punë e fjalë të mira, në të kundërtën, ai mbetet i papërmbushur. Allahu vërtet nuk ka nevojë që robërit e Tij të mbesin të uritur a të etur, nëse ata nuk ruhen nga veprat e ndaluara e të pamoralshme.

Është në natyrën e njeriut gabimi, prandaj muaji i Ramazani për ne paraqet një rast të volitshëm për pendim dhe rast për të reflektuar pozitivisht dhe për të bërë punë të mira e të hajrit.
 
Agjërimi tek besimtari manifeston ndjenjën e kujdesit dhe të solidaritetit ndaj fëmijëve, familjes, rrethit, skamnorëve, jetimëve dhe nevojtarëve, vlera këto për të cilat njerëzimi sot ka nevojë më shumë se kurrë më parë.

Të nderuar qytetarë të Kosovës!
Muaji i Ramazanit këtë vit në rrafshin institucional na gjen më të konsoliduar dhe  më të avancuar se më parë, meqë ne si shoqëri kemi krijuar kushte për funksionim normal të shtetit të Kosovës, për të cilin kemi bërë shumë sakrifica, andaj ju ftoj të gjithëve që në këtë muaj të mëshirës e rahmetit të jemi me dorëshlirë, dhe më solidarë dhe t’u dalim në ndihmë dhe t’ua shtrijmë dorën jetimëve, t’i ndihmojmë skamnorët dhe të varfrit, t’i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihëm dhe përkrahjen tonë.
Nga ne lypset që në shtetin tonë të ri të krijojmë kushte sa më të mira për një jetë të dinjitetshme për të gjithë ata që jetojnë dhe e duan këtë vend. Vetëm duke respektuar njëri-tjetrin, duke njohur dhe respektuar vlerat pozitive të njëri – tjetrit do të krijojmë kushte e premisa për zhvillimin e një shoqërie të lirë, demokratike, tolerante  që kultivon edhe vlerat e besimit në Allahun xh.sh.

Të nderuar besimtarë!
Të dashur vëllezër e motra!

Me lejoni që edhe njëherë, me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit  t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet e mia më të mira, duke e lutur të madhin Allah që të na pranojë agjërimin, namazin, sadakanë dhe ibadetin tonë.
Amin!

Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava

Shfaq më shumë në Bereqeti

Shfleto

Sofra e Ramazanit 2024

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” edhe këtë vit organizon aksionin tashmë tradicional…