Trupa punuese e tri Komuniteteve Islame shqiptare për përgatitjen e Konference me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqiptarëve u takua në Shkup
Përfaqësues e tre bashkësive islame në trevat shqiptare, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, me dt. 12 Korrik 2012, kanë zhvilluar mbledhjen e radhës të përbashkët në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë (BIM) në Shkup, në lidhje me Konferencën Ndërkombëtare “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit tonë kombëtar”, e cila do të mbahet në datat 28 dhe 29 Shtator 2012 me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar.
{jathumbnail}Mbledhja e zhvilluar në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, vjen pas disa takime të mbajtura në Tiranë, Prishtinë dhe së fundmi në Shkup. Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, kanë ngritur edhe një Këshill Organizativ, i cili po merret me organizimin e punëve, projekteve dhe aktiviteteve që bashkësitë islame shqiptare do të zhvillojnë në këtë vit jubilar.
Në takim e radhës, në Shkup u diskutua për pikat e arritura në lidhje me konferencën, si emrat konkretë të referuesve, kryesisht me grada shkencore, pjesë e katedrave të universiteteve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.
Delegacionet janë pritur gjithashtu edhe nga kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili i ka uruar edhe mirëseardhjen delegacionit të përbashkët. Delegacionet kanë vizituar gjithashtu edhe Fakultetin e Shkencave Islame të Shkupit, ku janë pritur nga drejtues të fakultetit me në krye dekanin. Ata janë njohur gjithashtu me punën dhe veprimtarinë akademike të zhvilluar në këtë qendër islame të dijeve.
Delegacioni shqiptar nga tre shtetet ka zhvilluar një vizitë edhe në Medresenë Isa Beu të Shkupit, ku janë pritur nga drejtori dhe pjesëtarë të tjerë të stafit.
Kjo është hera e parë që tre bashkësitë islame shqiptare të rajonit organizojnë një aktivitet të përbashkët të përmasave të tilla me pjesëmarrje ndërkombëtare.
Përveç tyre (KMSH, BIK dhe BIM), në konferencën që do të zhvillohet në Shtator 2012 në Tiranë, do të ketë përfaqësues edhe nga Bashkësia Islame e Malit të Zi, ajo e Luginës së Preshevës, si dhe përfaqësues nga komunitetet myslimane shqiptare të diasporës nga SHBA, Belgjika, Zvicra, Gjermania, Australia etj.