Prishtinë, më 23 nëntor 2022
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në ambientet e saj ka promovuar sot përkthimin e Kuranit nga publicist dhe diplomati, Faton Osmani, i cili e ka përkthyer Kuranin në gjuhën shqipe nga versioni i përkthyesit të spikatur në gjuhën angleze, Marmaduke Pitckthall.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, përgëzoi për punën Faton Osmanin, duke thënë se po e rendit emrin e tij në mesin e përkthyesve të Kuranit. Ai tha se Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë, është dhe do të jetë e përkushtuar në përkrahjen e iniciativave të tilla që kanë për qëllim përhapjen e Islamit.
Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora, vlerësoi lart përkthimin e Faton Osmanit, duke thënë se këtë përkthim në gjuhën shqipe të Kuranit e ka bërë të veçantë ruajtja e rimave, aq sa i është dhënë mundësia.
Përkthimin e Faton Osmanit e vlerësoi lart edhe studiuesi i letërsisë, Besnik Jaha, i cili foli për vlerat e larta letrare dhe estetike të tij.
Ndërsa, përkthyesi, Faton Osmani, për punën e tij 12-vjeçare në përkthimin e Kuranit, tha se ka përdorur edhe përkthime të tjera, duke përfshirë këtu edhe përkthimet në gjuhën shqipe.
Përkthimi i Pikallit i realizuar në vitet e 30-ta konsiderohet si njëri ndër përkthimet më të mira në gjuhën angleze. Këtë përkthim asokohe e kishte miratuar me vendim të posaçëm një komision i profesorëve të universitetit të Az’harit.
Kurani në gjuhën shqipe për herë të parë u përkthye nga akademiku Feti Mehdiu, dhe u botua në vitin 1985, e më pas vijuan edhe përkthimet e Mulla Sherif Ahmetit dhe Hasan Nahit.