Prishtinë, 23 janar 2020

Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u promovuan vëllimi i parë dhe i dyti i epitafeve në gjuhën osmane në rajonin e Prishtinës dhe rajonin e Mitrovicës, organizuar nga Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë. Në këtë promovim morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef.Tërnava me bashkëpunëtorë, dekani i FSI-së, dr. Fahrush Rexhepi,përfaqësues nga ambasada e Turqisë, Diyanetit, institutit Yunus Emre, përfaqësues nga Instituti i historisë, Instituti Albanologjik, profesorë, studiues, intelektualë, dashamirë të librit e të kulturës, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili foli për vlerën e këtyre veprave. Ai më tej vazhdoi duke thënë se “Veprat që po promovojmë sot paraqesin një rëndësi të veçantë për njohjen e së kaluarës sonë, sepse përmes gurëve të varrezave myslimane që mbajnë epigrafet në gjuhën osmane arrijmë të gjejmë të dhënat të rëndësishme burimore për të parët tanë që jetuan e vepruan gjatë periudhës së administrimit osman të viseve tona, kur siç dihej gjuhë zyrtare ishte gjuha osmane”- tha Myftiu Tërnava

Ai më tej tha se trashëgimia materiale islame ka rëndësi të pazëvendësueshme për kulturën dhe qytetërimin islam në këto vise, po edhe në Ballkan e më gjerë, si dhe për historiografinë dhe kulturën shqiptare në veçanti, ngase paraqet vazhdimësinë e identitetit të mëvetësishëm dhe autoktoninë e popullatës shqiptare përballë historiografisë së fqinjëve ortodoksë, që deri para pak kohësh e mbajtën të okupuar Kosovën, dhe edhe sot e kësaj dite nuk kursejnë asgjë që të dëshmojnë para faktorëve relevantë ndërkombëtarë “të drejtën” e tyre historike mbi Kosovën përmes objekteve sakrale ortodokse, gjoja si dëshmi e kulturës dhe e pranisë së tyre të hershme në këto troje.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mirëpret projekte të tilla që zbardhin të kaluarën, do t’i mbështetim pa asnjë rezervë, sepse njohjen e së kaluarës-zbardhjen e saj e kemi obligim për vete e më tepër për brezin e ri. Shoqëritë që nuk e njohin të kaluarën e tyre, nuk arrijnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Në fjalën e tij dekani dr. Fahrush Rexhepi foli në emër të FSI-së dhe qartësoi se këto vepra kanë vlera dhe rëndësinë historike dhe ofrojnë orientim për të gjithë studiuesit dhe hulumtuesit e kësaj fushe.
Ai më pas tha se botimi i i dy vëllimeve i shtohen vargut të disa aktiviteteve të tjera shkencore si dhe 12 titujve tjerë që i ka botuar Fakulteti i Studimeve Islame. Këto botime janë të një rëndësie të veçantë sepse epitafet janë dëshmi mbi praninë e kulturës civilizimit fesë dhe arkitekturës së një populli. Tekstet japin njohuri për të kaluarën dhe historinë e popullit tonë dhe ato konsiderohen si rojtarët e një qytetërimi të heshtur. Epitafet në gjuhën osmane në rajonin e Prishtinës është projekt qe do të realizojmë në shtatë rajone të Kosovës”, tha ai.
Ai më pas tha se ashtu siç kemi paralajmëruar edhe në parathënien e vëllimit të pare: “Epitafet në gjuhën osmane (Deshifrimi dhe përkthimi i tyre në regjionin e Prishtinës”, se ky projekt është vetëm fillimi i disa projekteve të tilla që synojmë t`i realizojmë në shtatë regjionet e Kosovës, Fakulteti i Studimeve Islame tani ka realizuar edhe vëllimin e dytë “Epitafet në gjuhën osmane të regjionit të Mitrovicës”.

Për veprat referuan prof.dr. Ertugrul Karakus nga Universiteti “Kurklareli: të Turqisë, dr. Ermal Nurja nga Tirana si dhe vetë autori i veprave, PHD Agron Islami.
Në këto dy vëllime janë trajtuar mbi 200 gurë varresh me mbishkrim osman, ku së bashku me fotografinë origjinale i është dhënë transkriptimin dhe përkthimin e teksteve mbi varrezore (epitafeve) të cilat në vete përmbajnë të dhëna me interes për historinë, gjuhën dhe kulturën shpirtërore të të parëve tanë.
Promovimi i këtyre dy vëllimeve u vlerësua shumë duke e konsideruar si një pasuri e historisë dhe dëshmisë sonë për brezat e ardhshme që do ta shfrytëzojnë atë dhe do ta ruajnë në kujtësën historike për të kaluarën tonë.

 

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Prishtina ndriçohet për nder të muajit Ramazan

Prishtinë, më 2 mars 2025 Ashtu siç tanimë është bërë traditë, me rastin e fillimit të mua…