Prishtinë, 31 gusht 2019
Shoqata humanitare “Bereqeti”, e cila është organ i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ka vazhduar, sipas planit të paraparë, shpërndarjen e mishit të kurbanit. Mishi i kurbanit po shpërndahet nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe të parët që po furnizohen janë ata me gjendje më të rëndë sociale dhe mishi po shpërndahet në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës. Një nga ata që përfituan nga ky mish i kurbanit është familja e Rrahim Bujupit, i cili jeton në banesat sociale. Ai thotë se me vështirësi të mëdha e përmbyllin muajin dhe me këtë mish që po u shpërndan Bashkësia Islame e Kosovës po ua lehtëson gjendjen dhe asnjëherë nuk po i harrojnë duke i ndihmuar vazhdimisht edhe me gjëra të tjera.
Mishi i kurbanit po shpërndahet me autofrigorifer dhe sipas zyrtarëve të BIRK-ut po shpërndahet pas kryerjes së analizave përkatëse. Behxhet Ajvazi, kryesues i Departamentit të Humanitetit, u shpreh se që nga hapat e parë kur është kryer prerja e tyre sipas udhëzimeve fetare dhe standardeve evropiane, mishi ka ardhur në Kosovë në temperaturë -20 gradë celsius dhe ruhet aty derisa sot ne po e bëjmë shpërndarjen e mishit të kurbanit dhe për këtë kanë pëlqimin edhe të zyrtarët e AUVK-ut, pasiqë janë kryer analizat dhe mishi është i cilësisë më të lartë për konsum për qytetarët e Kosovës.
Duhet theksuar se nën organizimin dhe mbikëqyrjen e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës është bërë prerja e kurbanëve që janë porositur nga besimtarët e vendit dhe ata të diasporës.
Mishi i kurbanëve është përgatitur dhe është paketuar, në ditët në vazhdim do t’u shpërndahet edhe institucioneve të tjera të BIRK-ut, medresesë dhe institucioneve të tjera publike si dhe nevojtarëve.