Prishtinë, 2 dhjetor 2017
Myftiu i Republikës së Kosovës Naim ef. Tërnava me bashkëpuntorë mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të hivzit të pesë hafizëve, nxënës në Institutin e Hifzit “Medreseja e Madhe” në Gjakovë. Ai duke uruar hafizët e rinj për këtë arritje të madhe theksoi vlerën dhe rëndësinë që ka ruajtja e Kuranit në memorien e njeriut. Ai më tutje theksoi se tash e gjashtëqind vjet po vazhdon mësimi dhe nxënia e Kuranit përmendsh në mesin e shqiptarëve dhe kjo është bërë falë hoxhallarëve dhe prijësve fetarë. Shqiptarët janë të lidhur me Kuranin dhe falë kësaj sot ka shumë hafizë, misioni i të cilëve është bartja e dijes tek gjeneratat e reja. “Kur ne filluam punën këtu pakkush ka besuar në këto suksese që ne sot po i shohim, por ja sot emir i këtij Instituti është I njohur anekënd botës. Ne po e shohim praktikisht daljen e hafizëve të rinj dhe janë për t’u përgëzuar për këtë arritje
Në këtë eveniment mori pjesë edhe hoxha i mirënjohur nga Turqia, Osman Nuri Topbash, i cili përshëndeti këtë mexhlis dhe uroi për këta hafizë të rinj duke u dëshiruar suksese të mëtejme në fushën dhe sfidat që i presin para vetes.
Uvejs Murtezi nga Shkupi është shembulli më i theksuar, hifzin e kishte filluar në Shkup por kishte vendosur që ta vazhdonte dhe e vazhdoi këtu në Gjakovë. Ai hifzin e ka filluar në shtator të vitit 2016, kurse përfundimin e hifzit e ka bërë më 1 gush të vitit 2017. “Ishte një mision shumë i rëndë, por në mbështetje në Allahun gjithçka mund të arrihet dhe i thërras të gjithë të rinjtë që t’i përkushtohen leximit dhe hifzit të Kuranit.”-shprehet ai.
Në këtë ceremoni të diplomimit të hifzit tre hafizë të rinj janë nga Maqedonia, kurse dy nga Kosova.