Prishtinë, 10 janar 2020

Të premten, me datë 10 janar 2020, me këndimin e tekbireve dhe në mënyrë solemne u bë hapja e xhamisë së fshatit Llozicë të Malishevës. Në këtë ceremoni, përveç xhematit të shumtë, të pranishëm qenë edhe zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet ef. Rama, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i shoqëruar edhe nga zëvendësi i tij, Fatmir ef. Iljazi, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës, Xhevat ef. Kryeziu, si dhe hoxhallarë të tjerë. Ceremonia e hapjes filloi me leximin e një ashereje nga Kurani Fisnik, të cilën e lexoi imami Behar ef. Gashi.

Më pas me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës, Xhevat ef. Kryeziu, i cili falënderoi në mënyrë të veçantë Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës në krye me Myftiun Naim ef. Tërnava, për punën dhe të arriturat e tij në përmirësimin e jetës fetare në vend. “Dita më e zgjedhur e javës është dita e xhuma, ndaj sot Llozica feston dhe e kremton këtë ditë në një mënyrë më të veçantë, ngase për herë të parë ky vend po bëhet me një xhami, në të cilën do të adhurohet e madhërohet Allahu. Falënderoj Myftiun Tërnava dhe Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë për ndërtimin e kësaj xhamie, po ashtu falënderoj banorët e fshatit për kontributin e tyre në ndërtimin e kësaj xhamie. E uroj imamin e kësaj xhamie dhe gjithë banorët e këtij fshati”, tha ndër të tjerash kryetari Kryeziu.

Në emër të Myftiut Tërnava, një fjalë përshëndetëse e mbajti zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet ef. Rama, i cili uroi dhe përgëzoi banorët e fshatit për ndërtimin e kësaj xhamie.

“Pejgamberi a.s. ka thënë: “Xhamitë janë shtëpi të Allahut në tokë”, andaj sot me lejen e Zotit ne po përurojmë një të tillë. Sot unë nuk do të flas për rolin e xhamive, por do t’i them dy fjalë për vlerën e ndërtimit të tyre. Ashtu siç na ka mësuar Pejgamberi a.s. në hadithin e tij, ku ka thënë se me vdekjen e personit mbyllen edhe veprat e tij, me përjashtim të atij që ka lënë një sadaka rrjedhëse, prej së cilës vazhdojnë të përfitojnë të tjerët edhe pas vdekjes së tij, ne e lusim Zotin që, të gjithë ata që kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj xhamie, Zoti t’i shpërblejë me mirësitë e tij. Urojmë imamin e kësaj xhamie Besmir ef. Foniqin, si dhe gjithë banorët e këtij fshati për këtë xhami dhe e lusim Zotin që ta gëzoni e ta vazhdoni rrugën e hoxhallarëve të vjetër për mësimin dhe praktikimin e Islamit në këto vende.”

Hytbenë e xhumasë e mbajti kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i cili fillimisht përcolli urimet dhe përgëzimet e tij dhe të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për hapjen e kësaj xhamie. Më pas, ai në ligjërimin e tij foli rreth vlerës dhe rëndësisë që ka dituria dhe vatrat e saj e që janë shkollat dhe xhamitë.“Zoti në Kuran ka thënë: “O ju që keni besuar, ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri i xhehenemit,” e ne mund t’i mbrojmë vetëm me edukatë dhe moral të mirëfilltë, prandaj si shkollat ashtu edhe xhamitë janë vatra nga ku ndizen shkëndijat e dijes dhe pajisin mendjet me largpamësinë që na takon. Andaj nuk është rastësi që libri i fundit Kurani fisnik fillon me fjalën “Lexo”. Këtë kur e kujtojmë, e kuptojmë që jemi ymeti i fjalës “lexo”, jemi ata që Allahu na ka ngarkuar me atë që nuk mund ta bartin qiejt dhe toka. Allahu na e mundësoftë që ne t’i realizojmë synimet e baballarëve dhe të gjyshërve tanë, e kemi obligim që ta përcjellim amanetin e tyre, ngase të gjithë jemi përgjegjës për atë që na është dhënë në përgjegjësi. Kjo xhami le të jetë vend i dritës dhe i diturisë,”- tha ndër të tjerash kryeimami Bajgora.

Krejt në fund, të pranishmit i përshëndeti edhe imami i kësaj xhamie, Besmir ef. Foniqi, i cili luti Zotin që t’u japë mbarësi dhe bereqet në këtë mision që kanë para vetes.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Prishtina ndriçohet për nder të muajit Ramazan

Prishtinë, më 2 mars 2025 Ashtu siç tanimë është bërë traditë, me rastin e fillimit të mua…