Prishtinë, 25 shkurt 2022

Sot, në të gjitha xhamitë e Kosovës, në vigjilje të Natës së Madhe të Israsë dhe Miraxhit, u mbajt hytbe e përbashkët me temë “Për namazin, si mesazh i Israsë dhe Miraxhit”.

Hytbeja e plotë:

Besimtarë të nderuar!
Një nga porositë më të drejtpërdrejta të Israsë dhe Miraxhit është namazi. Është obligimi i vetëm që është urdhëruar drejtpërdrejtë nga Allahu pa ndërmjetësimin e melekut Xhibril. Për këtë edhe thuhet, namazi është miraxhi i besimtarit. Kjo paraqet një vlerë shtesë të namazit. Duke marrë shkas këtë datë, sot, në hytben e kësaj xhumaje, do të flasim për namazin si mesazhi kryesor i Israsë dhe Miraxhit.
Sa për përkujtim, do të bëjmë një përshkrim përmbledhës të ndodhisë së Israsë dhe Miraxhit.

Të dashur vëllezër!
Udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit ka ndodhur duke qenë Pejgamberi ﷺ ende në Mekkë. Israja dhe Miraxhi është një udhëtim dypjesësh i kryer në të njëjtën kohë: Israja është udhëtim tokësor nga Qabeja e bekuar në Mekka në Mesxhidul Aksa ndërsa Miraxhi është udhëtimi qiellor nga Mesxhidul Aksa përmbi Sidretul Munteha. Thotë Allahu xh.sh:
﴿سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَىٰ بِعَبْدِهِ لَيْلًا مِّنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الْأَقْصَى الَّذِي بَارَكْنَا حَوْلَهُ لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا ۚ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ﴾
“Qoftë lavdëruar Ai (i pastër është nga të metat – Ai i cili), në një çast të një nate, e ka bartë robin e Tij (Muhammedin) nga Tempulli i shenjtë (Mekka) në Tempullin e largët (Jerusalemi), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, për t’ia dëftuar atij disa nga argumentet Tona. Ai (Allahu), me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” [Isra: 1]
Pejgamberi ﷺ e ka përjetuar Isranë si udhëtim të vërtetë trupor, që ka filluar nga Qabeja në Mekë e ka mbaruar në Mesxhidi Aksa në Kudsi Sherif, ku është falur në xhami me gjithë Pejgamberët duke u bërë imam i tyre. Pas namazit, Xhibrili ia solli një enë me verë dhe një tjetër me qumësht, e Muhamedi a.s. zgjodhi qumështin, ndërsa Xhibrili i tha: E zgjodhe natyrshmërinë. Atë natë ndodhi ngritja e Pejgamberit ﷺ nga mesxhidul Aksa në qiellin e parë, e nën udhëheqjen e Xhibrilit u shpie në katet e hapësirës së qiejve. Aty takon Ademin a.s.,…Prej aty, Resulullahu ﷺ ngritet në qiellin e dytë, ku takon Jahjanë a.s., të birin e Zekerijas a.s., dhe Isanë a.s., të birin e Merjemes…Pas kësaj, pason ngritja në qiellin e tretë ku takohet me Jusufin a.s.,….Pastaj ngrihet në qiellin e katërt, ku takohet me Idrisin a.s.,…Prej aty ngrihet në qiellin e pestë, ku takohet me Harunin a.s.,…Pastaj ngrihet në qiellin e gjashtë, ku takohet me Musain a.s.,…Pastaj kalon në qiellin e shtatë. Aty takon Ibrahimin a.s.,…e prej aty në horizontin më të lartë të Allahut, ku Allahu i shpalli robit të vet atë që ia shpalli dhe aty caktohet falja prej pesëdhjetë namazesh ditore. Pastaj Resulullahu ﷺ niset të kthehet. Kur kalon pranë Musait, ky e pyet: “Çfarë të është urdhëruar nga Allahu?” Përgjigjet: “Pesëdhjetë namaze në ditë.” Musai a.s. i thotë: “Ummeti yt nuk mund ta zbatojë këtë. Kthehu te Zoti yt dhe lute Zotin që t’ia lehtësojë ummetit tënd.” Resulullahu kthehet derisa numri i namazeve bie në pesë ndërsa shpërblimi ngelë në pesëdhjetë namaze…

Xhematlinj të nderuar!
Siç mund të shohim, namazi është dhurata hyjnore për njerëzimin nga ky udhëtim i jashtëzakonshëm i Pejgamberit tonë.

  • Si e trajtojmë ne këtë dhuratë hyjnore?
  • Si e përjetojmë namazin?
  • Sa jemi të kujdesshëm me namazin?
    Namazi është prej shtyllave kryesore të fesë, është obligim fetar për secilin besimtar. Prandaj, përtej diskutimit për normën e namazit, do të donim të merremi me thelbin e namazit, me esencën e tij.
    Allahu i Madhëruar adhurimin, ku bën pjesë edhe namazi, e ka përshkruar si ilaç për shpirtin, si diçka me të cilin shpirti qetësohet.
    ‎﴿‏ الَّذِينَ آمَنُوا وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُم بِذِكْرِ اللَّهِ ۗ أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ ‎﴿٢٨﴾‏
    “Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.” [Rra’d: 28]
    Pejgamberi namazin e cilësonte po kështu si burim kënaqësie shpirtërore.
    وجعلَتْ قرةُ عَيني في الصلاةِ
    “Më është bërë kënaqësia shpirtërore në namaz! ” –thoshte.
    Madje, kur ndiente ndonjë shqetësim a brengë, e urdhëronte Bilalin të thërriste për namaz duke i thënë:
    يا بلالُ أقمِ الصلاةَ، أرِحْنا بها
    “Çohu Bilal, thirr ikametin për namaz, na çlodh me të!”
    Pra namazi paska këtë efekt qetësues dhe çlodhës për shpirtin, por si t’ia bëjmë që namazi të ketë këtë efekt në shpirtrat tanë?
    Ka dy kritere të cilat duhet t’i përmbushim:
    1) Kryerja e namazit në përputhje me mësimet dhe rregullat fetare sepse, nëse i ikim atyre, konsiderohet sikur nuk jemi falur fare.
    2) Kryerja e namazit me përkushtim shpirtëror.
    Për ta kuptuar më qartë, do të shërbehemi me një ngjarje për ta kuptuar se cili namaz është ai që na dhuron këtë kënaqësi e rehati shpirtërore.
    Kadiu Isam bin Jusufi e kishte pyetur asketin e njohur, Hatim Esammin rreth namazit. Hatimi i qe përgjigjur: A më pyet për etikën apo për formën e namazit? Sa i përket etikës së namazit, ajo është:
  • të ngrihesh me urdhër (dëgjon ezanin-thirrjen, që për ty është urdhër nga Allahu),
  • të ecësh me llogari (në shpërblimin e Allahut për shkuarjen në xhami dhe për faljen e namazit),
  • të hysh me nijjet (të çiltër dhe të sinqertë vetëm për Allahun),
  • të bësh tekbirin me nderim (që askush dhe asgjë nuk është më i madh se Allahu),
  • të lexosh me tertil (ta lexosh me përkushtim, kujde dhe duke iu përmbajtur rregullave),
  • të bësh rukunë me përulje,
  • të bësh sexhde me nënshtrim modesti,
  • të bësh tehijjatin me sinqeritet (kur thua esh-hedu en la ilahe il-la Allah dhe esh-hedu enne Muhammeden abduhu ve Resuluhu ta thuash me siqneritet), dhe
  • të japësh selamin me mëshirë (duke u lutur për mëshirë për myslimanët mbarë).
    Ndërsa sa i përket formës së namazit, ajo është:
  • ta vendosësh Qabenë para ballit tënd (sikur e ke Qabenë përpara),
  • Mizanin para syve (sikur ti e shikon peshoren e veprave tua),
  • Siratin nën këmbë,
  • Xhennetin në anën e djathtë,
  • Xhehennemin në anën e majtë,
  • Melekun e vdekjes pas teje duke të kërkuar, dhe
  • Të mos dish nëse të është pranuar apo jo namazin – iu përgjigj djaloshi .
    Pa, ky është namazi i cili të ngrit në qiell, ky është namazi i cili shndërrohet në miraxh të besimtarit.

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Se namazi ka rëndësi të madhe na mësojnë ajete dhe hadithe të shumta. Namazi është shtyllë e fesë, është obligim për secilin besimtar, është obligim që nuk bie as në momentet më kritike…Namazi është gjëja e parë për të cilën besimtari pyetet. Nëse puna me namaz qëndron mirë, atëherë çdo gjë pas namazit vjen lehtë e më lehtë. Ndërsa nëse puna qëndron keq me namaz, pyetjet dhe llogaria shkojnë duke u vështirësuar. Për këtë shkak, Pejgamberi ﷺ ndërsa ishte në prag të vdekjes, fjalët e fundit që tha ishin: Kushtoni namazit rëndësi!
Këto fjalë të Pejgamberit tonë të dashur janë edhe mesazhi i kësaj hytbeje: namazi, namazi, namazi, që të jetojmë të lumtur në këtë botë dhe të shpëtojmë në botën tjetër!

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit

Vëllezër dhe motra,Të dashur qytetarë!Sot është dita e parë e Kurban Bajramit. Në këtë mën…