Prishtinë, më 21 tetor 2023
Më 21 tetor 2023, Trupi Zgjedhor i Bashkësisë Islame të Kosovës, zgjodhi Naim ef. Tërnavën, kryetar të Bashkësisë Islame – Myfti edhe për një mandat.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava u zgjodh me aklamacion për mandatin e ri në krye të këtij institucionit nga Trupi Zgjedhor, i cili përbëhet nga anëtarët e Kuvendit, kryetarët e këshillave dhe udhëheqësit e institucioneve të BI-së.
Në fjalën e tij, Myftiu Tërnava, falënderoi të gjithë për besimin e dhënë dhe për mbështetjen e ofruar në mandatet e kaluara, teksa tha se prioritet në mandatin e ri është edukimi, arsimimi, avancimi dhe fisnikërimi i qytetarëve tonë. “Ndër prioritetet kryesore është edukimi, arsimimi, avancimi dhe fisnikërimi i popullatës sonë për dynja e ahiret, ngritja, zhvillimi dhe avancimi e standardizimi i institucioneve e forumeve tona, në funksion të kërkesave të kohës për të organizuar, përgatitur e mbështetur besimtarët tanë anekënd vendit.”
Myftiu Tërnava në fjalën e tij po ashtu tha se ka për synim ngritjen profesionale të nëpunësve të BI-së, ruajtjen e besimtarëve nga ekstremizmi, sektarizmi dhe polarizimi i fesë e besimit, e gjithashtu edhe masivizimi i mësim-besimit në të gjithë Kosovën.
Myftiu Tërnava propozoi dhe më pas u miratuan nga Trupi Zgjedhor tetë anëtarët e Kryesisë: Burhan Hashani – Prishtinë; Shkëlzen Hoxha – Mitrovicë; Musli Arifaj – Pejë; Valon Myrta – Gjakovë; Orhan Bislimaj – Prizren; Sevdair Haxhiu – Ferizaj; Agim Hyseni – Gjilan; Sylejman Fejzullahu – Kosovë Lindore.