I nderuari kryetar i Kuvendit të BIK-ut, dr. Ajni ef. Sinani,

Të nderuar anëtarë të Trupit Zgjedhor, kuvendarë, kryetarë të këshillave të BI-së, drejtues të institucioneve të BIK-ut,

Të nderuar anëtarë të deritanishëm të Kryesisë, ju bashkëpunëtorë të mi,

وَقُلِ اعْمَلُوا فَسَيَرَى اللَّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُ وَالْمُؤْمِنُونَ

“Thuaji, punoni, se punën tuaj do ta shoh Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët…” (Tevbe, 105).

Të nderuar të pranishëm!

Më lejoni që t’ju falënderoj për besimin e dhënë për të drejtuar e udhëhequr Bashkësinë Islame të Kosovës edhe për një mandat. Besimi i dhënë nga ju që të jem në mesin tuaj, me ju dhe me gjithë strukturën që është në terren, për mua përveçqë është nder, respekt e vlerësim, për më tepër është së pari amanet e pastaj përgjegjësi para Zotit, besimtarëve e para strukturave të BIK-ut. Me ndihmën e Zotit të Madhërishëm, me mbështetjen e përkrahjen tuaj, jam i bindur se do ta arsyetojmë plotësisht besimin e dhënë dhe do ta përmbushim misionin që na është besuar, udhëheqjen, qeverisjen, zhvillimin dhe avancimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku ndër prioritetet kryesore është edukimi, arsimimi, avancimi dhe fisnikërimi i popullatës sonë për dynja e ahiret, ngritja, zhvillimi dhe avancimi e standardizimi i institucioneve e forumeve tona, në funksion të kërkesave të kohës për të organizuar, përgatitur e mbështetur besimtarët tanë anekënd vendit. Bashkësia Islame e Kosovës përgjatë historisë ka ndarë fatin e vet me popullin e vendin, dhe vazhdimisht, me gjithë sfidat e stuhitë me të cilat është përballur, ka arritur të ruajë, plasojë e promovojë misionin e saj. Jemi të përkushtuar që të jemi në nivel të përgjegjësive që na janë besuar, këtë edhe e kemi dëshmuar katërçipërisht në mandatet paraprake, ku kemi shënuar rezultate të prekshme, konkrete e funksionale.

Më lejoni që të përmendi kalimthi atë që është arritur bashkërisht në periudhën tashmë paraprake,

– kemi sanuar dëmet e luftës,

– kemi ndërtuar xhami në qendrat e vendbanimet ku ka qenë e nevojshme,

– kemi restauruar një sërë xhamish që kanë vlera monumentale, kulturore e historike,

– kemi shtuar vakëfet,

– kemi ngritur infrastrukturë për institucionet administrative të BI-së pothuajse në çdo Këshill.

Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar sistemit arsimor e edukimit. Medreseja tanimë është shkollë e shtrirë në tri qendra të Kosovës, në Prishtinë, Prizren e Gjilan, me klasa për djem e vajza. Fakulteti i Studimeve Islame vazhdon misionin e tij akademik, si në programin bachelor ashtu edhe në atë master e tanimë edhe doktoratë, me kuadrot adekuat e të përgatitur mirë, me rezultate të lakmueshme. Po ashtu rëndësi të veçantë i kemi kushtuar hivzit (mësimit përmendsh të Kuranit) përmes instituteve të hivzit në Prizren e Gjakovë. E veçantë e pesëvjeçarit të kaluar në kuadër të BIK-ut është edhe mësim-besimi nëpër xhamitë e mejtepet anekënd vendit, ku angazhimi i mualimeve tona është treguar mjaft i suksesshëm dhe rezultatet e arritura janë të kënaqshme, gjë që na obligon që në të ardhmen ta rrisim numrin e mualimeve dhe t’u krijojmë kushte për punë, aty ku është e mundur dhe e nevojshme.

Para dy viteve kemi themeluar Institutin për Hulumtime e Studime Islame (IHSI), institucion kërkimor e shkencor, i cili do të merret me studimet autoktone dhe tashmë veçse ka dhënë rezultatet e para në fushën e trashëgimisë sonë. Një ndër ndërmarrjet më të mëdha për ne si BIK, s’ka dyshim se është realizimi konkret i projektit të shumëpritur për të gjithë ne, fillimi i punimeve në ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Arritjet e BIK-ut janë të shumta në çdo pjesë të vendit tonë dhe në të gjitha shtresat e shoqërisë, përse duhen falënderuar të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë ndihmuar e mbështetur rrugëtimin tonë. Këtu, meritë të veçantë kanë besimtarët tanë të mrekullueshëm, të cilët gjithherë na janë përgjigjur në thirrjet e aksionet tona, imamët e nëpunësit tanë, që nuk kursejnë asgjë nga vetja që të bëjnë më të mirën për besimtarët e komunitetin. Falënderojmë posaçërisht institucionet tona, të cilat me përgjegjësi e korrektësi kanë bashkëpunuar me Bashkësinë Islame të Kosovës, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror. Po ashtu, në emër të besimtarëve tanë, të strukturave të BIK-ut dhe në emrin tim, falënderoj të gjithë bamirësitë e donatorët vendor e ndërkombëtar si dhe mërgatën tonë, të cilët na besuan e mbështetën, dhe na përkrahën në vizionin tonë për zhvillimin e rritën e BIK-ut.

Të nderuar të pranishëm,

Me pak fjalë veçova disa nga të arriturat e BIK-ut deri më tani, ndërsa tani më lejoni që shkurtimisht të theksoj disa nga objektivat ku do të fokusohemi në këtë pesëvjeçar. Rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë:

1. Ngritjes profesionale të nëpunësve tanë, duke filluar nga imamët, mualimet, myezinët dhe të gjithë ata që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me besimtarët tanë. Do t’i japim kujdes të veçantë organizimit të kurseve trajnuese dhe programeve të veçanta për ngritjen profesionale.

2. Ngritjes së kapaciteteve të administratës së institucioneve tona.

3. Ruajtjes së besimtarëve tanë, e posaçërisht të rinjve nga ekstremizmi, sektarizmi dhe polarizimi i fesë e besimit;

4. Masivizimit të mësim-besimit gjithandej Kosovës me të gjitha grupmoshat, e në veçanti me grupmoshat e reja;

5. Ruajtjes dhe trajtimin adekuat të trashëgimisë islame, që te ne ka një traditë e histori disa shekullore;

6. Në bashkëpunim me institucionet, do të angazhohemi që të bëjmë sigurimin shëndetësor të të punësuarve tanë;

7. Ngritjes dhe zhvillimit të vakëfeve si burime ekonomike për funksionimin dhe zhvillimin e BIK-ut;

8. Përgatitjes së literaturës bazike për nevojat e besimtarëve tanë (bibliotekës familjare) në formatin fizik;

9. Realizimit të kërkesave të besimtarëve tanë, si në raport me institucionin tonë, ashtu edhe me ato publike;

10. Bashkëpunimit me institucionet vendore e ndërkombëtare për të realizuar kërkesat dhe nevojat që ka BIK-u dhe besimtarët myslimanë te ne;

11. Ruajtjes dhe kultivimit të unitetit të brendshëm veprues në radhët e Bashkësisë Islame të Kosovës;

12. Bashkëpunimit e bashkërendimit të punëve me bashkësitë simotra në rajon;

13. Kujdesit dhe mbështetjes për qendra tona në diasporë;

14. Bashkëpunimit me bashkësitë e tjera fetare në funksion të mirëkuptimit, tolerancës e harmonisë ndërfetare e ndëretnike;

15. Përfundimit të ndërtimit të kompleksit të Xhamisë së Qendrore në Prishtinë, me të cilin projekt vendit do t’i japim një xhami madhështore, reprezentative e përfaqësuese, ndërsa besimtarëve një xhami e kompleks funksional e shumëdimensional.

Për t’i realizuar këto objektiva, kërkoj nga ju mbështetje, bashkërendim e koordinim në të gjitha rrafshet ku jemi të angazhuar, dhe jam i bindur se me ndihmën e Zotit do t’ia dalim.

Të nderuar të pranishëm,

Misioni ynë në këtë botë është që të transmetojmë te njerëzimi mësimet, parimet e konditat hyjnore. Krijuesi i Gjithësisë, Allahu xh.sh., na ka krijuar në formën më të mirë, na ka bërë mëkëmbës në tokë, na ka bërë në fise e popuj që të njihemi mes vete, na ka kërkuar që të jetojmë në paqe e harmoni, pa trazira e konflikte, luftëra e shkatërrime. Kështu na ka urdhëruar feja, këtë e ka kërkuar nga ne Krijuesi i Gjithësisë, kështu na mësoi Muhamedi a.s., i dashuri i Perëndisë dhe ky është misioni ynë si prijës fetarë.

Fatkeqësisht ne në kohën kur po jetojmë, bota po përballet me luftëra, shkatërrime e gjakderdhje, andaj kërkojmë nga të gjithë faktorët që kanë mundësi e ndikim që të angazhohen në ndaljen e luftërave dhe të konflikteve. Është më se domethënëse që të ndalen gjakderdhjet e konfliktet shekullore në tokën e Palestinës dhe që atje të mbretërojë paqja, siguria e mirëkuptimi. Po ashtu, lutemi e angazhohemi që sa më parë të ndalen luftimet në Ukrainë dhe në të gjitha vatrat e tjera. Njerëzimi ka nevojë për paqe, harmoni, zhvillim të mirëqenies, e jo për konflikte e gjakderdhje.

Duke ju përshëndetur me selam, edhe njëherë ju falënderoj për besimin e dhënë dhe njëherësh ju ftoj të gjithëve që të angazhohemi me përkushtim që bashkërisht të jemi në hyzmet të dinit e imanit, të popullit e vatanit tonë të dashur.

Zoti na ndihmoftë në misionin tonë!

Prishtinë, 21 tetor 2023

Myftiu i Kosovës,

Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

U mbajt mbledhja e Këshillit organizativ për Konferencën “Myftiu dr. Rexhep Bojës – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”

Prishtinë, më 7 tetor 2024 Këshilli organizativ i Konferencës shkencore “Myftiu dr. Rexhep…