Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka vizituar gjatë ditës së djeshme Luginën e Preshevës, ku u takua me personalitete fetare, politike e kulturore dhe qytetarë të shumtë të kësaj pjese.


Fillimisht, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava u prit nga kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë, Nexhmedin Ademi dhe imamë të kësaj pjesë, me të cilët diskutoi për sfidat dhe për mundësit e përmirësimit të situatës në atë pjesë.


Myftiu i Kosovës gjatë kësaj vizite u prit në takim edhe nga deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ku rëndësi të veçantë iu kushtua unifikimit të shqiptarëve të kësaj pjese me qëllim të përmirësimit të jetës atje.
“Lugina duhet ta ketë një Bashkësi Fetare Islame. Të jetë ajo bashkësi e vetme që mbron interesin fetar islam në Luginë dhe të jetë ajo që vendos për veten e saj. Në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë në shërbim të askujt, përveç besimtarëve të kësaj pjese. Duhet ditur që të gjithë se Lugina është pjesë e pandashme e gjymtyrëve të trupit tonë – pra duhet të ketë lidhje të vazhdueshme me Bashkësinë Islame të Kosovës”, tha Myftiu Tërnava në konferencën për media pas takimit me deputetin shqiptar.
“Biseduam për problemet e shumta me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, për problemet politike, por edhe për ato të jetës së përditshme. Mes tjerash diskutuam edhe për një nevojë urgjente që përballet Lugina e Preshevës, e që është unifikimi i spektrit fetar këtu në Luginë”, deklaroi deputeti Shaip Kamberi.


Vizitën më pas Myftiu Tërnava e vazhdoi në Komunën e Preshevës, ku u prit nga kryetarja e kësaj komune, Ardita Sinani. Ajo e quajti të domosdoshme vizitën e Myftiut Tërnava në këtë kohë.
“Unifikimi i spektrit politik dhe fetar është jashtëzakonisht i domosdoshëm dhe jetik në fazën dhe në situatën në të cilët gjendet Presheva. Andaj është domosdoshmëri e kohës që të jetësohet ky unifikim, kjo vizitë, e sidomos kur janë temat e rëndësishme”, deklaroi kryetarja Sinani pas takimit me Myftiun Tërnava.
Në anën tjetër, Myftiu Tërnava pas takimit me kryetaren e Komunës së Preshevës tha se besimtarët në Luginë të Preshevës çdo herë do ta kenë pranë Bashkësinë Islame të Kosovës.
“Shqiptarët e Luginës duhet të flasin me një zë që të mbrojnë interesat e shqiptarëve të kësaj zone, duke pasur parasysh specifikat që ka ky rajon. BIK asnjëherë nuk do të heq dorë nga kjo pjesë, pasi që e konsideron pjesë të trupit të saj, flas në aspektin fetar, ku gjithmonë do të jemi prezentë në mënyra të ndryshme”, u shpreh Myftiu Tërnava pas takimit me kryetaren Sinani.


Pjesë e takimeve të Myftiut Tërnava në Luginë të Preshevës ishte edhe diskutimi i frytshëm me kryetarin e Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi.
“Ka qenë kënaqësi të diskutojmë për zhvillimet pozitive të cilat kanë marrë një nismë dhe drejtim të mirë, e që është unifikimi i Bashkësisë Islame në Luginë të Preshevës”, potencoi Shqiprim Arifi.


Një vizitë tejet të këndshme, Myftiu Tërnava e realizoi te familja e haxhi Alajdin Shemshedinit, familje kjo e cila në mënyra të ndryshme i ka kontribuar çështjes fetare dhe kombëtare në atë pjesë.


Gjatë vizitës një ditore, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, takoi edhe shumë qytetarë të tjerë nga të cilët u informua për problemet e shumta dhe sfidat që janë instaluar për komunitetin shqiptar mysliman atje.


Në fund të kësaj vizite, por që me rëndësi të madhe, Myftiu Tërnava mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të hafëzit Etem Etemi.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim një delegacion nga Fondacioni “Shejh Zajed”

Prishtinë, më 8 nëntor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…