Prishtinë, 02 qershor 2020
Kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga kryeimami i Bashkësisë Islame, Sabri ef. Bajgora dhe nga drejtori Financiar, dr. Islam Hasani kanë vizituar sot Këshillin e Bashkësisë Islame të Prishtinës dhe atë të Podujevës.
Në këto takime u diskutua për situatën pas pandemisë COVID-19 dhe për muajin e Ramazanit që sapo e lamë pas.
Myftiu Tërnava në radhë të parë falënderoi të gjithë imamët dhe nëpërmes tyre të gjithë xhematin që janë angazhuar që gjatë kësaj periudhe të ndjeshme që të ndihmojnë sa më shumë njëri-tjetrin. Ai falënderoi posaçërisht imamët për angazhimin që kanë treguar gjatë muajit të Ramazanit, pavarësisht rrethanave të krijuara.
Gjatë këtyre takimeve, Myftiu Naim ef. Tërnava, theks të veçantë i kushtoi edhe suksesit të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, e cila ka arritur që gjatë muajit të Ramazanit me aksionin “Sofra e Ramazanit”. Ai përmendi synimin e kësaj shoqate, e që ishte sigurimi i 10 mijë pakove ushqimore me produkte ushqimore dhe higjienike, por që falë bamirësve donatorë, kjo shoqatë arriti që të shpërndante më shumë se 20 mijë pako.
Gjatë këtyre takimeve po ashtu është diskutuar edhe për probleme të ndryshme që përballën në vazhdimësi këto dy Këshilla të Bashkësisë Islame.