Prishtinë, 16 qershor 2020
Kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij, vizitoi sot Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit dhe atë të Gjakovës për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, si dhe për muajin e bekuar të Ramzanit.
Gjatë takimit në Prizren, Myftiu Tërnava diskutoi me anëtarët e Këshillit rreth punës dhe angazhimit të këtij Këshilli gjatë kohës së pandemisë, por në përgjithësi edhe gjatë muajit të Ramazanit.
Myftiu Tërnava gjatë këtyre vizitave nuk la pa përmendur angazhimin e shoqatës humanitare bamirëse “Bereqeti”, e cila ka dhënë një kontribut të madh në këtë kohë, që, falë ndihmave të donatorëve, arritën që gjatë muajit të Ramazanit, në aksionin “Sofra e Ramazanit” të shpërndanin mbi 25 mijë pako ushqimore.
Gjatë këtyre takimet u diskutuan edhe një sërë problemesh dhe sfidash me të cilat ballafaqohen këto këshilla, si dhe për mundësinë që të tejkalohen me lehtësi këto, në të mirë të të gjithë besimtarëve të këtyre vendeve.