Prishtinë, 27 mars 2018
Kryetari i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, qëndruan në Dragash dhe vizituan fabrikën “Meka halal food” për përpunimin e mishrave, ku u pritën nga pronari i saj Burim Piraj dhe panë nga afër kushtet në të cilat bëhet puna në këtë fabrikë.
Me këtë rast, Myftiu Tërnava tha se Bashkësia Islame e Kosovës përkrah të gjithë ata biznesmenë që sigurojnë mirëqenie për familje të shumta.
“Vërtet unë u ndjeva i kënaqur me kushtet, punën, pastërtinë dhe seriozitetin me të cilin punohet në këtë fabrikë, i dëshiroj punë të mbarë, e lus Zotin që t’u japë shëndet pronarit e punëtorëve dhe të zgjerohet edhe më shumë dhe të ketë eksport nga kjo fabrikë për në vende të ndryshme të Evropës dhe botës dhe të rritet numri i punëtorëve edhe më shumë, vërtet përbën një shembull të mirë se si mund të ndërtohet dhe sigurohet edhe më shteti ynë e të shkohet përpara për një mirëqenie të përgjithshme të qytetarëve të Kosovës”,- tha Myftiu Tërnava.
Nga ana e tij, pronari i fabrikës “Meka”, Burim Piraj, falënderoi Myftiun Tërnava për vizitën dhe tha:
“Ndihem i nderuar me vizitën e tij që i bëri fabrikës, është vizitë e veçantë, i pa nga afër problemet dhe sukseset e kompanisë sonë dhe gjithashtu nga afër ndoqi procesin e prodhimit dhe ne e njoftuam për planet tona për të ardhmen”.
Kjo fabrikë është e licencuar nga “Kosova Halal Institute (KHI)”, që është institucion i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës. KHI-ja është themeluar më 2011, angazhohet për monitorim dhe certifikim të kompanive dhe prodhimeve që përmbushin kriteret sipas standardeve Hallall.