Prishtinë, 15 maj 2018
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, në konferencën për medie uroi me rastin e ardhjes së muajit të bekuar të Ramazanit. Duke na treguar për qëllimin kryesor që ka me agjërimin, Zoti i Madhëruar në Kuranin Fisnik na thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.(El Bekare, 183)
Ai duke vazhduar më tej tha se agjërimi është një proces i cili gdhend tiparet e larta të moralit dhe u jep formë të përsosur atyre. Për ta fituar epitetin e agjëruesit të vërtetë, ne, në veçanti gjatë këtij muaji, duhet të dëshmojmë vetëpërmbajtje dhe maturi në fjalë e sjellje. Agjërimi është shkollë humanizmi. Vlerat solidare agjërimin e bëjnë një mundësi më shumë për të zbutur varfërinë dhe për të lidhur pjesëtarët e shoqërisë ndërmjet vete. Mënyra se si arrihet kjo në Ramazan është e rrallë ose është karakteristikë veç e Ramazanit. Manifestimi i agjërimit duke abstenuar nga ushqimi dhe pija, sipas disa dijetarëve myslimanë, është bërë për t’ia kujtuar të pasurit shijen e hidhur të urisë, që të varfërit e kanë përditshmëri. Pra, është edukim praktik, vetëdijesim konkret dhe jo vetëm kaq. Së këndejmi, klima që krijohet gjatë Ramazanit nuk favorizon asgjë tjetër pos dashurisë dhe respektit. Këto lidhje kulmojnë me dhënien e sadakatul-fitrit në fund të muajit, të cilin, siç thotë Pejgamberi Muhammed ﷺ :
“Zoti e ka obliguar dhënien e lëmoshës si pastrim për agjëruesin (nga lëshimet eventuale) dhe si ushqim për nevojtarin”
Ramazani fillon nesër, më 16 maj.