Prishtinë, më 7 janar 2024

Me ftesë të ministrit të Ministrisë së Haxhit dhe të Umres së Arabisë Saudite, dr. Tevfik Rabiah, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, po qëndron për vizitë në Xhide të Arabisë Saudite.

Myftiu Tërnava u prit në takim nga ministri Rabiah, ku nënshkruan marrëveshjen e Haxhit për vitin 2024, me të cilën rregullohet shkuarja e besimtarëve kosovarë për ta kryer haxhin.

Në këtë takim, Myftiu Tërnava, falënderoi autoritetet e Arabisë Saudite për lehtësimin e procedurave administrative për besimtarët e Kosovës, e të cilat ofrojnë kushte më të mira për akomodimin, si dhe kujdes shëndetësor më cilësor për haxhi.

Gjithashtu Myftiu Tërnava, falënderoi ministrin për lehtësimet dhe kushtet e ofruara për vizitorët, të cilët gjatë vitit vizitojnë Arabinë Saudite për ta kryer umren.

Myftiu Tërnava shprehu gatishmërinë e plotë që ky bashkëpunim i frytshëm ndërmhet dy institucioneve të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ndërkaq ministri Rabiah, shprehu fjalë miradije për organizatorët e Haxhit kosovarë – Bashkësinë Islame të Kosovës, si organizatorët me traditë dhe si të vetmit institucion zyrtar në Kosovë. Ai tha se haxhitë nga Kosova janë gjithnjë të mirëseardhur në vendin e dy faltoreve të shenjta.

Gjatë ditëve në vijim, Myftiu Tërnava, do të ketë edhe takime të tjera me institucionet relevante të organizmit të Haxhit, për lehtësimin e procedurave të nevojshme për besimtarët tanë në Meke, Xhide dhe në Medine.

Në shoqërim të Myftiut Tërnava janë kryeimami Vedat ef. Sahiti, shefi i kabinetit të Myftiut, Besim ef. Mehmeti, zv.kryeimami Fatmir ef. Iljazi dhe Fatlum Podvorica.

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim ambasadorin e ShBA-ve, z. Jeffrey Hovenier

Prishtinë, më 10 dhjetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tër…