Myftiu Tërnava takoi mualimet e Departamentit të Gruas së BIK-ut Prishtinë, më 7 dhjetor 2022 Drejtoria fetare-arsimore e drejtuar nga kryeimami Vedat Sahiti dhe Departamenti i Gruas pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës kanë organizuar takimin përmbyllës me mualimet nga e gjithë Kosova. Ky takim kishte për qëllim të shpalosë punën një vjeçare të mualimeve, si dhe për të diskutuar planet dhe programet që do realizohen në vitin e ardhshëm. Kryeimami falënderoi Departamentin e Gruas dhe të gjitha mualimet për angazhimet e sukseset që kanë arritur përgjatë këtij viti. Ai ritheksoi mbështetjen e Kryesisë së Bashkësisë Islame për avancimin e grave në fusha të ndryshme. Kurse udhëheqësja e Departamentit të Gruas, Vaxhide Bunjaku, prezantoi punën një vjeçare, duke përmendur një sërë aktivitetesh, si trajnime, programe për muajin Ramazan, dua hatmeje, programe për muajin e Mevludit, etj. Në këtë takim prezent ishte edhe Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili foli për pozitën e lartë që feja islame i dha femrës. Mes tjerash Myftiu falënderoi mualimet për angazhimin e tyre, duke i inkurajuar që të punojnë edhe në të ardhmen. Ai iu ofroi mbështetje të vazhdueshme në punën që bëjnë. Ndërkohë këshilltari i Çështjeve Fetare pranë ambasadës turke përgëzoi mualimet për punën dhe tha se bashkëpunimi që kanë me Bashkësinë Islame në krye me Myftiun Naim ef. Tërnava e bën të ndihet i lumtur dhe i nderuar. Departamenti i Gruas e përmbylli vitin 2022 me një sërë aktivitetesh që rezultuan me suksese të mëdha.