17 tetor 2019
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, priti në takim drejtorin e Komitetit për Ballkan, Evropë dhe Amerikë, z. Mahmud Najadin, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Myftiu Tërnava, pasi i uroi mirëseardhje në selinë e BIRK-ut, e falënderoi z. Najadin, popullin dhe qeverinë e Kuvajtit dhe çmoi lart bashkëpunimin shumë të mirë të deritanishëm me të dhe ndihmën që po japin për ndërtimin e Kosovës dhe theksoi se populli i Kosovës asnjëherë nuk do të harrojë ndihmën e pakursyer të Kuvajtit para, gjatë dhe pas luftës së fundit si në aspektin humanitar ashtu edhe në atë social. Myftiu Tërnava po ashtu theksoi se në koordinim me shoqatën “Ringjallja e Trashëgimisë Islame” nga Kuvajti jemi duke realizuar shumë projekte të përbashkëta dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij, drejtori i Komitetit për Ballkan, Evropë dhe Amerikë, z. Mahmud Najadi, falënderoi Myftiun Tërnava për mikpritjen dhe për bashkëpunimin shumë të mirë me Kryesinë e BIRK-ut duke nënvizuar se deri më tani kanë pasur një bashkëpunim shumë të mirë e të qëndrueshëm dhe premtoi se edhe në të ardhmen do ta ndihmojë Kosovën në projekte të ndryshme në të mirë të popullatës së saj.