Prishtinë, më 2 korrik 2024

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Luginë të Preshevës, Nexhmedin Ademi.

Gjatë këtij takimi diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe rezultatet nga bashkëpunimi i deri tanishëm, që po rezultojnë të jenë tejet të frytshme.

Këshilli i Bashkësisë Islame në Luginë të Preshevës që funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës së fundmi është bërë me objekt punues, duke i mundësuar të shtrijë aktivitetet fetare në këtë pjesë.

Për këtë çështje, me kërkesë të Myftiu Tërnava, Bashkësia Islame e Kosovës, ka kërkuar fonde për t’i ndihmuar me blerjen e këtij vakëfi, për çka u realizua me sukses.

“Ne para pak kohe, kemi pas një aksion dhe kemi kërkuar prej besimtarëve tonë që të ndihmojnë Këshillin e Preshevës atje për të siguruar një infrastrukturë, e cila do të jetë në shërbim të vëllezërve dhe motrave tona atje. Dëshirojë të falënderojë besimtarët tanë që kanë tubuar 118 mijë euro për të ndihmuar me sigurimin e këtij objekti”, tha Myftiu Tërnava.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Luginë të Preshevës, Nexhmedin Ademi, falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës, që siç e quajti ai është ruajtësi më i madh i identitetit fetar dhe kombëtar në atë pjesë.

“Nuk është hera e parë, por çdo herë keni qenë dhe po vazhdoni të jeni në shërbim të besimtarëve të Preshevës. Infrastruktura e Bashkësisë Islame të Kosovës po kompletohet atje dhe gjithë ajo infrastrukturë do të jetë në shërbim të kultivimit të vlerave të Islami dhe identitetit tonë nacional dhe kombëtar. Një rol vendimtar për këto dy çështje ka edhe Bashkësia Islame e Kosovës”, tha ai.

Muaj më parë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe besimtarët myslimanë kishin mbështetur iniciativën për sigurimin e një objekti punues për Këshillin e Bashkësisë Islame në Preshevë. Tashmë, ky objekt është në posedim të këtij Këshilli dhe do të jetë në shërbim të besimtarëve atje.

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

Përfundoi aksioni i shpërndarjes së mishit të kurbanit

Prishtinë, më 10 korrik 2024 Rreth 20 mijë kurbane janë therur dhe janë shpërndarë nga Bas…