Prishtinë, 6 janar 2021
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava priti në takim ambasadorin e Republikës së Kosovës në Riad të Arabisë Saudite, z. Lulzim Mjekun.
Myftiu Tërnava e njohu me kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në kapërcimin e situatës së vështirë që është krijuar në vend për shkak të pandemisë, si dhe me masat e ndërmarra në kuadër të ndërgjegjësimit dhe parandalimit të përhapjes së mëtejshme të pandemisë Covid-19. Myftiu po ashtu e njohu mysafirin me zhvillimin dhe aktivitetet e BIK-ut, si dhe me angazhimin e vazhdueshëm që ka ky institucion për një mirëqenie mes komuniteteve fetare dhe për tolerancën ndër-fetare në vend.
Ndërkaq ambasadori i Republikës së Kosovës në Riad të Arabisë Saudite, z. Lulzim Mjeku pasi e falënderoi Myftiun Tërnava për mikpritjen, vlerësoi kontributin e çmuar që Myftiu Tërnava dhe BIK-u japin vazhdimisht në të mirë të shoqërisë sonë në kultivimin e kulturës së bashkëjetesës, tolerancën, harmoninë e respektit mes komuniteteve fetare në Kosovë.