Prishtinë, më 24 maj 2022
Nën patronazhin e shkëlqesisë së tij, sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz al-Thani, ka nisur punimet Konferenca e 14 për dialogun ndërfetar, me titull “Fetë dhe gjuha e urrejtjes ndërmjet praktikës dhe teksteve”. Në këtë Konferencë po marrin pjesë rreth 300 personalitete të ndryshme nga 70 vende të botës, delegacione të shumta nga e mbarë bota, ministra, zëvendësministra, përfaqësues të religjioneve të ndryshme, hulumtues, studiues dhe personalitetet më eminente të kësaj fushe nga vendet e ndryshme të botës.
Në këtë Konferencë po merr pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili po shoqërohet nga shefi i kabinetit të tij, Besim ef. Mehmeti.
Konferenca u hap nga ministri për Çështje të Jashtme i shtetit të Katarit, Sulltan bin Sad al-Murejhu, i cili të pranishmëve iu dëshiroi mirëseardhje, duke theksuar se Qeveria e Katarit dhe populli i saj janë të përkushtuar për dialog ndërfetar dhe për respektim të vlerave të larta morale e njerëzore.
Më pas, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua drejtori i Qendrës DICID, dr. Ibrahim al Nuajmi, i cili iu uroi mirëseardhje mysafirëve pas një mungese 2 vjeçare për shkak të virusit Korona. Ai në fjalën e tij u përqendrua në rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe ndikimit të tij në përmirësimin e bashkëjetesës ndërmjet popujve dhe shoqërive anekënd botës, duke theksuar kështu rolin e të gjithë njerëzve vullnetmirë për luftimin e gjuhës së urrejtjes, andaj edhe kanë zgjedhur si temë boshte të kësaj Konference temën “Fetë dhe gjuha e urrejtjes ndërmjet praktikës dhe teksteve”.
Konferenca më pas vazhdoi me shfaqjen e një filmi të shkurtër, ku u shfaqën aktivitetet e Qendrës DICID Doha gjatë një dekade në kontributin e saj për dialogun ndërfetar.
Në këtë seancë gjithashtu u shpërblyen edhe tri personalitetet dhe tri institucione për aktivitetin e tyre në dialogun ndërfetar.