Myftiu Tërnava nderohet me mirënjohje për kontributin e tij arsimor në Kosovë në vitet 90-ta

Prishtinë, më 12 qershor 2022

Për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ndarë mirënjohje për kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim ef. Tërnava për kontributin dhe rolin e tij në arsim dhënë në vitet 90-ta. Kjo mirënjohje u dha me rastin e shënimit të 30 vjetorit të fillimit të operimit të të ashtuquajturave “Shtëpi Shkolla”, të cilat luajtën rol jashtëzakonisht të madh, për ta mbajtur gjallë arsimin shqip, e për ta përforcuar rezistencën kundër okupimit, duke shërbyer kështu si vatra të dijes dhe si një dritare e shpresës për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Gjatë kohës sa Myftiu Tërnava ishte drejtor i Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë, në ambientet e kësaj shkolle u mbajt Kongresi i Dytë i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur ishte kriza më e madhe e sigurimit të lokaleve nga ndjekjet e regjimit okupues serb. Amfiteatri i Medresesë ishte arenë e ngjarjeve tona fetare, kulturore e shkencore. Medreseja përkrahu minatorët kosovarë më 1989 dhe u ofroi ndihmat e para materiale, mori pjesë në grevën e organizuar nga studentët e Universitetit të Prishtinës më 1989. Në Medrese u themelua Shoqata e Arsimtarëve të Shkollave të Mesme të Kosovës – LASH “Naim Frashër”. Vetëm brenda vitit 1996, në ambientet e Medresesë “Alaudin” u mbajtën mbi 25 manifestime kulturore, shkencore e politike, si: tubimi i arsimtarëve veteranë, tubime me karakter etik, sikur ishte ai për ndalimin e narkomanisë, shënime përvjetorësh si ai për 80-vjetorin e rënies së Isa Boletinit, takime të forumeve partiake, si të LDK-së e të partive të tjera, programe kulturore etj.

Dihet se 30 vjet më parë, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” e organizuar në degë dhe nëndegë mori përgjegjësinë historike për kryerjen e detyrave arsimore dhe të organizimit të procesit mësimor në të gjitha nivelet e shkollimit, në rrethanat e pushtimit të egër serb, në periudhën 1990-1999.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Deklaratë për opinion

Prishtinë, më 29 qershor 2022 Avioni i paraparë për t’i dërguar sot në orët e para të mëng…