Prishtinë, 30 tetor 2018

Organizuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, sot në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, u mbajt tryeza e rrumbullakët “Bashkë kundër dhunës”. Në këtë tryezë mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i cili para të pranishmëve në fjalën e tij, nënvizoi se në islam, trajtimi i gruas është tregues i nderit dhe vlerave të mashkullit. “Pejgamberi Muhamedi a.s. ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që kujdeset më së miri për familjen e tij. Unë jam më i miri prej jush sepse kujdesem më së miri për familje time.” Kjo mirësjellje qe shndërruar edhe si moto e shoqërisë myslimane. Njëri nga gjeneratat e para ka thënë: “Djemtë janë mirësi, për të cilët japim përgjegjësi. Vajzat janë vepra të mira, për edukimin e së cilave Zoti na shpërblen.”

Ai më tej theksoi se ky respekt nuk është për t’u çuditur, ngase kemi parasysh faktin se femra është personi që duhet respektuar më shumë se mashkulli. Si shembull do të doja ta merrja nënën e cila meriton trefishin e respektit të babait.

“Islami miraton fuqishëm të drejtat e femrës dhe urdhëron për respekt ndaj tyre. Po kështu, forma të keqtrajtimit të femrës që mund të shohim në shoqërinë tonë ose edhe në shoqëritë tjera, pavarësisht që mund të jenë me shumicë absolute myslimane, ato nuk kanë të bëjnë aspak me fenë. Dhuna ndaj femrës më së paku është islame. Në kaptinën Nisa, në ajetin 19, Zoti bën thirrje: “Jetoni e silluni mirë me to!” Gruaja te burri është amanet i Zotit, andaj amanetin duhet trajtuar në formën më të mirë të mundshme. Në një thënie profetike të shënuar nga Muslimi qëndron: “Kijeni frikë Zoti sa i përket grave sepse i keni marrë në besë të Zotit.” Së këndejmi, Islami ndalon dhunën ndaj femrës, qoftë kjo dhunë psikike, duke e akuzuar në nderin dhe moralin e saj ose duke e fyer dhe ofenduar. Se dhuna nuk është islame, tregon edhe praktika e Pejgamberit a.s. Bashkëshortja e tij, Aisheja r.a. rrëfen për Pejgamberin a.s., se ai kurrë nuk i ka rënë asnjë gruaje”, theksoi Myftiu Tërnava.

Duke përmbyllur fjalën e tij, Myftiu Tërnava veçoi se, duke u nisur nga parimet fisnike kuranore dhe profetike, si dhe nga detyrimet tona të përbashkëta shoqërore, ne si institucion do t’i përgjigjemi çfarëdo nisme institucionale që merret me avancimin e mirëfilltë të të drejtave të femrës. Ne do t’i vëmë në shërbim të gjithë mekanizmat që kemi, kuadrot dhe infrastrukturën, që bashkërisht ta ngremë pozitën e femrës shqiptare në vendin që ajo e meriton. Ju lutem, pranojeni të këtillë edhe paraqitjen time sot këtu, si aktiviteti i parë zyrtar që nga marrja e mandatit të ri.

Gjatë kësaj tryeze u diskutuan praktikat e bashkëpunimit me qëllim të identifikimit, raportimit, parandalimit dhe trajtimit të kësaj dukurie negative, e cila fatkeqësisht është e shtrirë në çdo shtresë të shoqërisë.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…