Myftiu Tërnava mori pjesë në konferencën rajonale “Roli i Fesë në Ballkanin Perëndimor”, që po mbahet në Tiranë Tiranë, 11 qershor 2019Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, mori pjesë në konferencën rajonale “Roli i fesë në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor”, punimet e së cilës u zhvilluan në Tiranë nën kujdesin e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe ambasadës së Mbretërisë së Holandës. Duke iu drejtuar të pranishmëve, krerëve dhe përfaqësuesve të bashkësive fetare të vendeve të rajonit, presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta shfrytëzoi këtë rast për të inkurajuar të gjitha bashkësitë fetare që të vazhdojnë me lutjet për të mirën, begatinë dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj, nisur nga lutja për kalimin e krizës që ka kapluar vendin. Ai pos të tjerash tha: ”… jam krenar që jam presidenti i një shteti që në themelet e veta ka bashkëpërfshirjen, bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, dhe i një populli që, ndër shekuj, këtë ka pasur dhe pikën e vet më të fortë. Harmonia fetare është ndër vlerat më të vyera të Shqipërisë, e trashëguar nga kombi ynë ndër shekuj, e mbartur dhe forcuar nga qytetarët tanë dhe që u takon brezave të ardhshëm ta forcojnë dhe ta ruajnë atë si sytë e ballit…” Në konferencën rajonale “Roli i fesë në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor” merrnin pjesë edhe kryetari i Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu, Fortlumturia e tij Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos, Arqipeshkvi Metropolit Imzot George Frendo i Kishës Katolike Shqiptare, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ambasadorë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të qeverisë dhe të komuniteteve fetare në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi.