Prishtinë, më 24 prill 2022

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan për nder të dhjetë netëve të fundi të muajit Ramazan, ka organizuar iftar të përbashkët ku morën pjesë personalitete të ndryshme të rëndësishme në vend.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ambasadori i OSBE-së, ambasadori i Shqipërisë, kryetar komunash, deputetë, profesorë, dhe figura të ndryshme morën pjesë në këtë iftar, që tashmë është shndërruar në iftar tradicional.

Myftiu Naim ef. Tërnava, gjatë fjalës së tij foli për të mirat që sjell muaji Ramazan për besimtarët si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në atë social.

“Le të na shërbejë ky muaj edhe si muaj shtytës, si fuqi edhe më e madhe që bashkërisht të punojmë edhe më shumë që mes njerëzve të avancojmë ndjenjën e vëllazërisë, të avancojmë ndjenjën e harmonisë, solidaritet, tolerancës dhe largimit nga çdo radikalizëm, duke ditur se feja islame është fe e paqes që thërret në paqe.”

Organizatori i këtij tubimi, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim ef. Aliu tha se iftaret e tilla duhet të na bashkojnë të gjithëve që të jemi pranë qytetarëve të vendit.

“Mësimet e fesë, gjegjësisht të këtij muaji të shenjtë na mësojnë si ta ruajmë identitetin fetar dhe kombëtar. Do të vazhdojmë të jemi promotor të kulturës së bashkëjetesës dhe tolerancës si njëra ndër vlerat kulmore të të parëve tanë”, tha ai.

Kryetari i Këshillit, Naim Aliu ndau edhe mirënjohje për shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë Michael Davenport për bashkëpunimin dhe kontributin e tij.

“Fillimisht ju falënderoj për ftesën si dhe për organizimin e mrekullueshëm të këtij iftari në muajin Ramazan. Është ky muaj i shenjtë në të cilin ne mendojmë për njëri-tjetrin, ku reflektojmë dhe jemi çdoherë të gatshëm t’i ndihmojmë njëri-tjetrit. Unë ju falënderoj për këtë organizim i cili dëshmon se jeni të përkushtuar t’i ndihmoni të tjerëve”, tha shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë.

Këtë iftar të përbashkët e përshëndetën edhe personalitet e tjera, duke e konsideruar se Ramazani dhe vetë Islami ndjellin solidaritetin, paqen dhe afrimin mes njëri-tjetrit.

 “Mesazhi më i mirë i mundshëm për mua që përçon muaji i Ramazanit është solidariteti dhe kujdesi ndaj njëri-tjetrit. Si shoqëri dhe si popull e kemi këtë veti të mbjellë nga të parët, mirëpo vazhdimi dhe kultivimi i saj do të ishte prej veprimeve më të mira që mund të bënim”, tha kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

“Për t’u bashkuar rreth Zotit, me një besim më të madh për të bërë vepra më të mira deri në vitin e ardhshëm. Unë besoj që feja duhet të shërbejë si faktor i fuqishëm i unitetit, i forcimit të dashurisë mes nesh,  e cila do t’i jap prosperitet më të madh Kosovës, rajonit dhe botës islame në përgjithësi”, potencoi ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt program festiv për nder të 28 Nëntorit në “Medresenë Alauddin”

Prishtinë, më 27 nëntor 2024 Në ambientet e “Medresesë Alauddin” u organizua një program f…