Prishtinë, 28 dhjetor 2018

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij, sot mbajti hytben e xhumasë në Xhaminë e Vjetër të Podujevës. Ai nga këtu iu drejtua xhematit me këshilla duke përçuar mesazhe paqeje, nga ku përmendi faktin se Islami gjithnjë thërret në bashkëjetesë, harmoni, humanitet e mirësi dhe thërret në largohemi nga çdo gjë që shkon në dëm të individit, familjes dhe mbarë shoqërisë. Ai çmoi lart punën dhe angazhimin e kryetarit të KBI të Podujevës z. Osman Kurtollit, si dhe përkushtimin dhe punën e vazhdueshme që po e bën imami i kësaj xhamie Imri Llugaliu.

“Islami është fe e vlerave dhe virtyteve, është fe të cilën e zgjodhi Allahu për njerëzimin, është fe e përsosur në mësime dhe porosi, fe e cila objektiv kryesor të saj ka dinjitetin e njeriut, krijesës më të rëndësishme të Zotit. Në Kuran dhe Sunet kemi tekste të shumta që na flasin për mirësitë e Islamit dhe për mësimet e tij madhështore, siç është ajeti: “Sot ua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë fe e juaja…” (El Maide, 3). Nga ky ajet, Allahu na mëson se feja islame është e përsosur, e plotësuar, që nënkupton se normat, mësimet dhe këshillat e saj janë po kështu të përsosura. Për këtë shkak, Zoti do të Islami të jetë fe e robërve të tij. Islami është fe e përsosur në besim, sepse është fe monoteiste, fe që besimin e parashtron në mënyrë racionale, fe që dijen e përshkruan si çelës kryesor të besimit, fe që urdhëron besimin në të gjithë pejgamberët, fe që bën thirrje për bashkimin e të gjithë njerëzve nën hijen e fjalëve të Zotit. Është fe e përsosur në adhurime, ngase urdhëron që adhurimet t’i përkushtohen vetëm Allahut, ato të kenë mision dëlirje dhe pastrimi shpirtëror, fe që namazin e sheh si ndalues nga mëkatet, agjërimin si frenues prej tyre, zekatin si solidaritet që nuk e zhduk vetëm varfërinë por edhe koprracinë, urrejtjen, smirën, haxhin e sheh si pastrim të tërësishëm etj”, tha ndër të tjerash Myftiu Tërnava.

Më tutje Myftiu Tërnava potencoi se: “Islami është fe e përsosur në ligje, norma dhe mësime. Kjo nënkupton se askush nga njerëzit, kushdo qoftë ai, nuk ka të drejtë të fus duart e t’i bëjë ligjet e normat sipas mënyrës së vet. Kjo nënkupton po kështu se edhe interpretimet që i bëhen mësimeve të Islamit nuk kanë legjitimitet përderisa nuk pajtojnë me objektivat e tij, pavarësisht nëse interpretuesit thërrasin sipas Kuranit apo Sunetit. Islami është ashtu siç do Zoti, jo siç duan njerëzit. Islami është feja e shpallur nga Allahu për të realizuar të mira shpirtërore e materiale, për të ofruar siguri e paqe, për të nderuar e jo denigruar krijesën më të dalluar të Zotit, njeriun, andaj çdokush që vepron në kundërshtim me këto objektiva, ai ka vepruar në kundërshtim me Islamin. Unë si kryetar dhe myfti i juaji, do të mundohem që me përgjegjësinë më të madhe të punoj që t’i ruajmë këto vlera fetare e kombëtare, ta ruajmë paqen dhe sigurinë, të jemi sa më pranë besimtarëve tanë me këshilla, udhëzime, ndihma materiale, të punojnë dhe të bashkëpunojmë me të gjithë, që vendin të cilin Zoti na e zgjodhi për të lindur e jetuar, ta çojmë përpara.” [srizonfbalbum id=16]

Krejt në fund, Myftiu Tërnava bëri lutje tek i Madhi Zot që ta begatojë popullin dhe vendin tonë me mirësi e begati, me siguri e stabilitet, me paqe e harmoni, si dhe një lutje të veçantë e bëri për ushtrinë tonë, për të cilën luti Zotin që ta begatojë dhe edhe më ta fuqizojë drejt ardhmërisë së sigurt. “Bashkësia Islame do të jetë vazhdimisht me xhematin aty ku e kërkon nevoja ashtu siç ka qenë dhe e ka dëshmuar edhe në të kaluarën e edhe në të tashmen”, përfundoi Myftiu Tërnava.

Namazit të xhumasë i priu kryeimami i Republikës së Kosovës Sabri ef. Bajgora.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…