Prishtinë, 15 nëntor 2018.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava mbrëmë në ambientet e Medresesë së Mesme Alauddin në Prishtinë bashkëbisedoi me nxënësit e Medresesë. Me leximin e bukur të disa ajeteve kuranore nga nxënësi Gentrit Osmani, drejtori i Medresesë Mr.Jakup ef.Çunaku i uroj mirë se ardhje Myftiut dhe në emrin e shkollës e uroj për rizgjedhjen në pozitën e Kryetarit të BIRK-ut edhe për një mandat. Pastaj, drejtori hapi bisedën me Myftiun duke kërkuar nga ai të ndanë disa përvoja personale duke qenë si ish medresistë, pastaj mësimdhënës e drejtor i Medresesë për disa vite.
Myftiu Naim ef. Tërnava shprehu kënaqësinë e tij që sonte është në Medresesë duke shtuar se kjo shkollë në çdo kohë dhe rrethana ka dhënë kontributin e vet për edukim fetar e atë kombëtar. Ai porositi nxënësit që edhe me tej të angazhohen në mësimin e drejtë e parimeve fetare nga bankat e kësaj shkolle, duke shtuar kujdesin se edukimi jo i drejtë fetarë sjellë pasoja të mëdha për shoqërinë njerëzore, sikur që tani jemi dëshmitarë i zhvillimeve të ndryshme anë e kënd botës.
“Së bashku dhe me ndihmën e Zotit të bëjmë shumë që të ndërtojmë këtë shoqëri tutje, me vlerat tona kombëtare e fetare dhe ne do të jemi akterë të rëndësishëm në të ardhmen brenda trojeve tona, Ndaj vlerat tona si morali, respekti, nderi, besa e shumë të tjera nuk duhet anashkaluar asnjëherë”- tha Myftiu Tërnava.
Njëherit Myftiu i uroj nxënësit me rastin e muajit të Rebiul Evvel , duke udhëzuar nxënësit që ta kenë shembull praktik figurën e Muhamedit a.s. dhe mësimet e tij.
Më pas nxënësit e Medresesë shtruan disa pyetje për të fituar dituri dhe dëgjuar nga përvoja e myftiut Tërnava.