Myftiu Tërnava, i shoqëruar edhe nga kryetari i Kuvendit të BIRK-ut, Ajni ef. Sinani, kryeimami Sabri ef. Bajgora dhe nga zv/kryeimami Fatmir ef. Iljazi morën pjesë në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë, që u mbajt me datë 20.04.2017, dhe atij në Pejë që u mbajt më 27.04.2017.
Këta për së afërmi përcollën punën dhe funksionimin e këtyre Këshillave të BIK. Gjatë mbledhjeve të rregullta me anëtarët e Këshillave të të dy komunave, u diskutuan shumë çështje me rëndësi, dhe u morën vendime në dobi të institucionit dhe qytetarëve, ku nuk mungoi edhe kontributi i myftiut, i cili ofroi ide, këshilla e propozime që të arrijnë te vendimet e drejta dhe të pranueshme. Në përfundim të secilit prej takimeve, Myftiu Tërnava i këshilloi të pranishmit që t’ia kenë frikën Zotit xh.sh., e të punojnë drejt, të reflektojnë mirësi e sinqeritet në punën e tyre dhe të shpjegojnë drejt porositë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, duke ruajtur në këtë mënyrë afërsinë në mes njerëzve, e duke mbjellë dashuri dhe harmoni në mes të gjithëve pa dallim. “Porositë kuranore dhe mesazhet që dalin nga fjalët, veprat dhe sjelljet e të dërguarit tonë Muhamedit a.s. duhet t’i përcillni te xhemati në formën më të bukur, ashtu siç është e bukur tërë feja islame. Të kultivohet edhe më tej harmonia dhe bashkëjetesa me të gjithë, pa dallim ngjyre, etnie apo feje, ashtu siç të parët tanë e mbollën në zemrat e tyre dhe të pasardhësve të tyre, këtu e gjashtëqind vjet më parë. Nuk kemi nevojë për traditat e zakonet e të tjerëve, sepse edhe traditat, zakonet dhe kulturën e popullit i kemi aq të mira, e të bukura, saqë na kanë lakmi edhe të tjerët. Hapësirë për punë keni sa të dëshironi para vetes, jemi duke investuar me të madhe në rregullimin dhe infrastrukturën e BI gjithandej nëpër Kosovë, e në veçanti në Pejë dhe Gjakovë, prandaj shfrytëzoni këto mirësi për të përçuar fjalën e mirë, shpirtdëlirësinë dhe moralin në zemrat dhe shpirtrat e atyre që i keni përballë”, u tha mes tjerash Myftiu Tërnava, duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillave të Gjakovës dhe Pejës.