Ceremonia e dhënies së certifikatave të haxhive filloi me një ashere nga Kurani fisnik, të cilën e lexoi imami Shaban Murati, për të vazhduar më tutje me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit Naim ef. Aliu, i cili fillimisht i përshëndeti të pranishmit duke uruar haxhitë me lutje drejtuar të madhit Allah që haxhin e të gjithë haxhive ta ketë pranuar dhe duke falënderuar Allahun që te gjithë ishin kthyer shëndoshë e mirë pranë familjeve të tyre. Ai falënderoi haxhitë e Gjilanit për përkushtimin, devocionin dhe disiplinën e treguar të haxhive gjatë kryerjes së ritualeve të haxhit.
Pastaj, sekretari i KBI-së Agim ef. Hyseni prezantoi një tërësi të fotove, shoqëruar me një video të incizuar gjatë kryerjes së ibadeteve të haxhit, si gjatë kryerjes së umres, gjatë qëndrimit në Arefat, në Muzdelife, gjatë hedhjes së guralecëve në Mina, pastaj foto nga Medina e Resullahit, me çfarë i emocionoi të pranishmit e në veçanti haxhitë që ende i kishin kujtimet të freskëta nga vendet e shenjta.
Në fund, haxhive iu drejtua Myftiu Naim ef Tërnava, i cili i uroi të gjithë haxhitë për haxhin e kryer dhe theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës po bën gjithçka që haxhitë tanë ta kryejnë këtë obligim në kushte sa më të mira. Bashkësia Islame e Kosovës është e përkushtuar që edhe në të ardhmen të angazhohet që këtë ibadet, si kushti i pestë i Islamit, ta realizojë në mënyrën më të mirë të mundshme, ngase këtë punë e kemi emanet dhe ua kemi borxh besimtarëve tanë.
Pas përfundimit të fjalimit të Myftiut, filloi ceremonia e dhënies së certifikatave për haxhitë dhe u organizua edhe një koktej rasti.