Deklaratë për opinion

Prishtinë, 23 shkurt 2012

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, me shqetësim ka marrë lajmin që me vendim të DKA – Mitrovicë Nr. 07 – 17/2011, 19.01.2012, nxënëseve që bartin shaminë  u është ndaluar vazhdimi i mësimit të rregullt në shkollat e tyre, në Mitrovicë.

Kryesia e BIK, një vendim të tillë të DKA e konsideron të papranueshëm, ngase i njëjti bie ndesh me Kushtetutën e vendit e cila jo që lejon lirinë fetare por e garanton atë për të gjithë qytetarët e saj.

 

Është e papranueshme që  në shekullin 21 , të privohet dikush nga e drejta e garantuar me Kushtetutë – e drejta e arsimit dhe edukimin në institucionet e sistemit publik të arsimimit në vendin e tyre.

 Ftojmë institucionet e vendi, e para së gjithash Ministrinë e Arsimit, që të gjithë nxënësve të Kosovës, pa marrë parasysh, nacionalitetin, gjuhën, fenë, vendin a rajonin t’u krijoj kushtet ashtu siç është paraparë me kushtetutë e ligj për arsimin e edukimin normal.

Për ne janë të papranueshme, që nga motive nga më të ndryshme t’u ndalohet dikujt e drejta e arsimimit vetëm pse ai apo ajo ka bindje tjetër, apo pse nxënësit shprehin bindjen e tyre fetare.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës angazhohet fuqishëm për të kontribuar për edukimin dhe arsimimin e nxënësve tanë, e jo për t’i përjashtuar, stresuar e diferencuar ata  në moshën kur këta duhet të edukohen e arsimohen.

Kryesia me vëmendje ka përcjellë dhe do të përcjellë edhe në të ardhmen peripecitë, sfidat e pengesat, me të cilat janë përballur e  po përballen nxënëset e mbuluara në realizimin e të drejtës për arsimim në shkollat tona. Edhe njëherë shprehim përkrahjen tonë të plotë për të drejtën e tyre për arsimim, në shkollat e tyre, në vendin e tyre, në shtetin e tyre. Kryesia do të angazhohet që  kjo e drejt të realizohet për nxënëset tona në të gjitha shkollat e Kosovës, sikur që kjo e drejtë aplikohet në shtetet e Bashkimit Evropian.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës

Shfaq më shumë në Njoftime

Shfleto

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”

Sot, bota islame humbi një ndër dijetarët më të mëdhenj bashkëkohor, në fushën e fikhut, s…