Sot, 7 shkurt 2014, para namazit të xhumasë, në xhaminë e Shipolit në prani të një numri të madh të qytetarëve, e ku qe i pranishëm edhe Myftiu i Kosovës, mr. Naim Tërnava, familja Syla ia fali gjakun e djalit familjes Hyseni.
Ndryshe, Astrit Syla ishte viktimë e dhunës që po mbretëron kohëve të fundit në shkollat tona, ku ai ishte therur me thikë nga shoku i tij i klasës, në shkollën e mesme teknike “Arkitetk Sinani“, në Mitrovicë.
Për pajtimin e dy familjeve me iniciativën e Myftiut Tërnava është angazhuar imami i xhamisë së Shipolit, Fatmir ef. Latifi.
Para të pranishmëve babai i maturantit Astrit Syla, Arsimi tha: “Lutem që Zoti i madh, djalin tim të ma dërgon në xhenet. Falënderoj popullin shqiptar prej katër anëve të shqiptarisë që na kanë mbështet, andaj vetëm i madhi Zot mund me shpërblye. Dhashtë Zoti mos të ketë më asnjë rast të tillë!”.
Myftiu Tërnava tha ky veprim është akt burrërie e respekti i kësaj familjeje për institucionet e vendit dhe përkushtim për çrrënjosjen e hasmërive për hir të Krijuesit dhe pastaj të gjeneratave të reja.
“Vetëm i madhi Zot ka fuqinë që t’ju shpërblej, dhe Zoti ju bëftë prej atyre që të jeni shembull për mirëqenien e kombit tonë, atdheut tonë dhe sigurisë së vendit tonë!”-tha ndër të tjerat, Myftiu Tërnava.
Kryetari i Mitrovicës Agim Baftiri pasi përshëndeti familjen Syla dhe gjithë të pranishmit u shpreh: “Uroj e lutem që ky të jetë rasti i fundit i ngatërresave të tilla mes nesh”.