Prishtinë, 29 tetor 2021
Në ditën e fundit të vizitës zyrtare shkëlqesia e tij dr. Abdul-Latif bin Abdul-Aziz al-Shejkh, ministër i Çështjeve Fetare në Mbretërinë e Arabisë Saudite i cili shoqërohej nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava vizituan Xhaminë e Madhe Sulltan Mehmet Fatih në Prishtinë.
Aty kryemami i BIK-ut Vedat ef. Sahiti e njohu mysafirin përkitazi me rëndësinë fetare, historike, trashëgimore që ka kjo xhami dhe rrugëtimin e saj disa shekullor përgjatë historisë.
Ai vlerësoi se Kosova ka një traditë të begatshme historike, fetare e kulturore e mbi të gjitha vlerëson tolerancën dhe harmoninë fetare që ka populli shqiptar.
Duhet theksuar se ministri Al Shejkh sot paradite ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, kurse gjatë ditës së djeshme u prit në selinë e BIK-ut nga Myftiu Tërnava e në agjendë ishte edhe vizita ambienteve të Medresesë së Mesme Alauddin në Prishtinë.