Myftiu Tërnava: Gjatë kësaj kohe të kemi kujdes ndaj fëmijëve, kujdesi i bashkëshortëve për njëri tjetrin, e sidomos kujdesi ndaj prindërve në moshë që në asnjë moment të mos kenë ndjenjën e vetmisë
Prishtinë, 3 prill 2020

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava nëpërmjet një lidhje on line iu ka drejtuar xhematit dhe opinionit të gjerë me një mesazh në ditën e xhuma. Ai mes tjerash ka thënë se e ndjej obligim që në këtë ditë të madhe të xhumasë të jem me ju e pranë jush, që bashkërisht, duke ju dëshiruar shëndet e mbarësi, edhe sot në vaktin e xhumasë jam me ju që bashkërisht të jemi në këtë format me ibadete e lutje për të qenë më afër rahmetit të Krijuesit të Gjithësisë, Allahut xh.sh.
Ai më tej ka thënë se ndodhemi tash në javën e tretë prej që ne në vendin tonë, për shkak të pandemisë nuk falim namazin e xhumasë, këtë vendim e kemi marrë jo nga dëshira e vullneti ynë, porse jemi të detyruar të marrim një vendim të tillë në mënyrë që të ruajmë shëndetin tonë dhe të më të dashurve tonë, ngase siç dihet, muajt e fundit njerëzimi po përballët me virusin Covid-19, që tashmë ka marrë përmasat e pandemisë.
Për të evituar infektimin me këtë virus, nga institucionet shëndetësore na është kërkuar e na është këshilluar, ashtu siç edhe ne kemi kërkuar e këshilluar që të qëndrojmë në shtëpinë tonë, një lloj vet izolimi që ka për qëllim të shmang përhapjen e virusit COVID-19.
“Ky izolim, para së gjithash kërkon përgjegjësi ndaj situatës në të cilin gjendemi, pastaj kërkon vet disiplinë, qetësi, durim e optimizëm.Ne si popull jemi përballuar gjatë historisë sonë me sfida nga më të ndryshmet, mirëpo siç dihet fal vetëbesimit, vet disiplinës e besimit në atë që kemi pas për objektiv ia kemi dal me sukses.
Ne si besimtarë që jemi besojmë thellë, dhe e njohim kaderin e Zotit, padyshim se jemi shumë të përgatitur shpirtërisht që të përballemi me këtë fatkeqësi me ndjesi maksimale por edhe me qetësinë e duhur, pa frikë, pa ankth e pa stres.
Frika, ankthi e stresi jo që nuk ndihmojnë në tejkalimin e vështirësive si në rastin tonë të pandemisë me të cilin përballemi, por përkundrazi e favorizojnë atë, krijojnë gjendje të rënduar psiqike e mendore dhe në këtë mënyrë vijmë edhe deri te dobësimi i vetëbesimit tonë e përkushtimit të mësimeve dhe këshillave që na janë dhënë.
Me këtë assesi nuk dua të them që mos të jemi të kujdesshëm ndaj situatës në të cilën veç jemi, kur jemi të detyruar që të qëndrojmë në shtëpinë tonë si masë mbrojtje nga pandemia, por dua të them që gjatë kësaj kohe sa jemi pranë familjes ta kalojmë kohën afër tyre , me ta e për ta, duke mos mbjellë frike, panik, ankth e stres”-ka thënë myftiu Tërnava.
Ai më tej ka shtuar se metoda më e mirë për ta kaluar sa më mirë, e sa më lehtë qëndrimin në shtëpi, është planifikimi dhe organizimi i ditës e javës në kushtet që jemi, ky organizim duhet te ketë rrjedhën normale të jetës pa frikë e ankth e pa stres, natyrisht gjithsesi me kujdes maksimal sepse përballemi me një virus vdekjeprurës.
Pas marrjes se masave te duhura , për largimin e frikës si veprim i parë është padyshim mbështetja tek Zoti dhe kërkimi i ndihmës prej Tij. Mbështetja në Zotin është hapi i parë që largon frikën dhe ofron siguri e optimizëm për besimtarët, shih për këtë Allahu në Kuranin fisnik na mëson e thotë se “ Kush i frikësohet All-llahut, Zoti do ti bëjë rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe do t’i sjellë furnizim prej nga as nuk mund ta mendonte.
Dhe kushdo që mbështetet e vë shpresat tek Allahu atëherë Zoti do t’i mjaftojë atij plotësisht” (Talak: 2-3) .
Mbështetja te Zoti së bashku me veprën e mirë duke u shoqëruar me durim, disiplinë, mirësjellje, qetësi dhe udhëzim në të mira i ofron besimtarit qetësinë e nevojshme e psikologjike që në këtë kohë është shumë e nevojshme së pari për kryefamiljarët për tu bartur tek e tërë familja.
Ai po ashtu ka nënvizuar se ilaqi më i mirë në largimin e frikës është Namazi, i cili ska dyshim se është mjeti shpirtëror më i rëndësishëm në mbrojtjen nga ankthi dhe frika si dhe nga çdo e keqe në jetë, për këtë ilaç Allahu na mësoi në Kuran duke na urdhëruar që në situata të vështira sikur kjo e jona dhe në fatkeqësi të kërkojmë ndihmën e Zotit përmes dy veprimeve konkrete , Zoti xh.sh. në Kuran na mëson e thotë “Dhe kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz, është e vërtetë se kjo është tejet e vështirë përveç se për besimtarët e vërtetë” (El-Bekare, 45).
Myftiu Tërnava po ashtu ka bërë thirrje që gjatë kësaj kohe t’i kushtojmë vëmendjen e duhur dhe kujdes ndaj familjeve tona, duke u nisur që nga fëmijët duke u kujdesur për edukimin dhe mësimet e tyre, kujdesi mes bashkëshortëve për njëri tjetrin , e sidomos kujdesi ndaj prindërve në moshë që në asnjë moment të mos kenë ndjenjën e vetmisë.
Këto të gjitha që i potencova i kemi obligime gjithherë, mirëpo në këtë kohë duhet sforcuar edhe më shumë me të vetmin qëllim që koha jonë të ketë një organizim sa më normal edhe në kushte të izolimit, që dita jonë, java jonë të kaloj me mirësi e bereqet, me punë të mira e të hajrit në njërën anë, dhe në anën tjetër që të jemi sa më larg me vëmendje nga frika ankthi e stresi.

Ai kakërkuar të ruhet shëndeti, familja dhe vendi ynë duek shprehur bindje në Zotin se edhe këtë sfidë do e kalojmë dhe lutem për të gjithë ata që po përballen me këtë pandemi që Zoti tu jap forcë, dije e durim, sikur e lusim Zotin që t’i ruaj të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës për të ruajtur shëndetin e sigurinë tonë, si dhe për të gjithë ata që kontribuojnë sado pak të tejkalojmë edhe këtë sfidë.

Ai po ashtu në fund të këtij mesazhi kërkon që mos të ndërpriten duatë dhe lutjen tona e sidomos në këtë vakt të bekuar të xhumasë, bashkërisht Lusim Zotin që të ruaj njerëzinë mbarë nga infektimi, ndërsa të prekurve shërim sa më të shpejtë, e rahmetlinjve mëshirë nga Zoti i Gjithësisë.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim shefen e UNMIK-ut, znj. Carolina Ziadeh

Prishtinë, më 9 tetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…