Muhamed ef. Hoxha

Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun, Krijuesin e gjithësisë, Atë E falënderojmë për të gjitha të mirat që na  ka dhënë, na krijoi në formën më të bukur, na dalloi nga krijesat e tjera duke na përsosur me mendje e logjikë të shëndoshë.

Përmes Pejgamberit të fundit, Muhamedit a.s., na dërgoi programin hyjnor, Kuranin e madhërishëm.
Të gjitha salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin a.s., edhe për të dërguarit e tjerë që nga Ademi a.s., njeriu i parë në sipërfaqe të tokës, dhe të tjerët me radhë, të gjithë i besojmë, sepse është një prej kushteve të besimit. Gjithashtu jemi të vetëdijshëm se të gjithë të dërguarit e Allahut kishin një mision, kuptohet secili tek populli i vet, që t’i thërrisnin njerëzit për të besuar Një të Vetmin Allah.  Të gjithë ishin të zgjedhurit dhe të dërguarit e Zotit, dhe që të gjithë, pa përjashtim, ishin shembull se si duhet t’u shmangemi veprave dhe veseve të liga, vetëm e vetëm që të ecim përpara drejt përparimit dhe prosperitetit, kuptohet duke zbatuar porositë e Allahut Fuqiplotë dhe këshillat e Muhamed Mustafasë s.a.v.s.  Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë se do të fitojmë mëshirën dhe kënaqësinë e Zotit të Madhëruar, edhe në këtë botë, edhe në Botën tjetër.

VËLLEZËR TË NDERUAR!
Jo vetëm ju që jeni këtu në këtë shtëpi të Allahut, por edhe të gjithë besimtarët e tjerë kudo që janë e që na ndjekin nga ky vend i shenjtë, në këtë ditë gëzimi e hareje e ne këtë moment të bekuar, të gjithë ju ju përshëndes me përshëndetjen më të bukur e më kuptimplotë: Es-selamu alejkum! Paqja, mëshira, begatitë dhe të gjithë të mirat e Zotit qofshin për ju. Kjo ditë është një ditë feste , ditë e madhe për të gjithë ne. Dita e Kurban-Bajramit dita e sakrificës, kohë kur të gjithë ata besimtarë nga mbarë bota që patën mundësinë, ashtu siç kërkojnë edhe dispozitat islame, tani janë në përfundim e sipër të kryerjes së kushtit të pestë të Islamit, Haxhit. Ata tani janë në Qabenë e ndritshme dhe i bëjnë lutjet e tyre, që Allahu t’ua pranojë mundin, sakrificën dhe Haxhin e tyre, po edhe ne nga ky vend, E lusim të Madhin Allah me të njëjtat lutje dhe shtojmë lutjen që haxhinjtë tanë të na kthehen shëndoshë e mirë në Kosovën tonë .
Bajramet për ne myslimanët janë festa hyjnore, të cilat fillojnë me tekbire (madhërim). Këtë e thekson një hadith fisnik i Pejgamberit a.s., ku thuhet: “Zbukuroni Bajramet (festat) tuaja me tekbire”, gjithashtu në ajetin 185 të sures El-Bekare thuhet:
وَلِتُكَبِّرُواْ اللّهَ عَلَى مَا هَدَاكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ
“Të madhëroni Allahun për  se ju udhëzoi dhe që ta falënderoni”.
Tani më lejoni, që në pika të shkurtra, të them diçka rreth sakrificës, ose siç është e njohur me gjuhën e popullit  KURBANIT.
Në kuptimin gjuhësor, Kurbanin do ta përkufizonim:  “të afrohesh, mjet që të afron me Zotin, me Krijuesin”, ndërsa në literaturën islame, për Kurbanin do të gjejmë se ka këtë kuptim: “të therësh një kafshë të përshtatshme, sipas kushteve të caktuara fetare, me qëllim adhurimi”. Kurbani kryesisht theret në ditët e Kurban-Bajramit (në tri ditët e para të tij).
Në Kuranin e madhërishëm do të gjejmë se Kurbani është një adhurim në të   gjitha fetë hyjnore,dhe atë e bazojmë në ajetin 34/ kaptina El-haxh.

وَلِكُلِّ أُمَّةٍ جَعَلْنَا مَنسَكًا لِيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ عَلَى مَا رَزَقَهُم مِّن بَهِيمَةِ الْأَنْعَامِ فَإِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَاحِدٌ فَلَهُ أَسْلِمُوا وَبَشِّرِ الْمُخْبِتِينَ
“Për çdo popull Ne kemi caktuar një Kurban (ritual), që ata të përmendin Emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim, Zoti juaj është një Zot i vetëm, prandaj përuljuni vetëm Atij. Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur”. (Haxh:34)
Gjithashtu, Kurani na tregon edhe për shumë ngjarje dhe shembuj të ndryshëm, që kanë ndodhur në periudhat e mëparshme. P.sh., flitet për kurbanet që dy djemtë e Ademit i flijuan për Zotin!, dhe se njërit prej tyre iu pranua e tjetrit jo. (Maide: 27-29). Këtë ngjarje, që tregohet në Kuran, me pak ndryshime do ta gjejmë edhe në librat e tjerë të shenjtë, që ishin edhe para Kuranit.
Besimtarë të nderuar!
Para së gjithash, duhet ditur mirë se adhurimet bëhen, sepse janë Urdhër i Zotit dhe  se në adhurimet që kryhen me Urdhrin e Zotit,  ka shumë urtësi që për dikë mund edhe të jenë të njohura, po sigurisht se ka edhe të tjerë që këto urtësi nuk i dinë.
Kur Kurbani kryhet, me përmendjen e Emrit të Zotit para aktit të therjes, do të kuptojmë  se Zoti i Madhërishëm, i dha në dispozicion, njeriut si krijesa më e bukur dhe më e përsosur, gjithë të mirat që ekzistojnë në këtë botë, e në rastin konkret edhe kafshët që ne i bëjmë Kurban, por në asnjë moment nuk duhet harruar se të gjitha ato të mira janë pronë e Allahut, që na i ka dhuruar neve për të përfituar prej tyre.
Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe, para së gjithash, e bindjes së njeriut që ai të shpie drejt rrugës për të fituar  kënaqësinë e Zotit Fuqiplotë. Për këtë  bindje dhe sakrificë, më së miri do të mësojmë nga Kurani famëlartë, ku e gjejmë të përshkruar gatishmërinë e Ibrahimit për ta bërë Kurban jo më pak se të birin, Ismailin, të cilit as që i shkoi mendja të kundërshtonte një gjë të tillë, sepse bëhej fjalë për zbatimin e Urdhrit të Zotit Fuqiplotë.
 Kurani e tregon kështu këtë ngjarje:
رَبِّ هَبْ لِي مِنَ الصَّالِحِينَ 2فَبَشَّرْنَاهُ بِغُلَامٍ حَلِيمٍ 3 فَلَمَّا بَلَغَ مَعَهُ السَّعْيَ قَالَ يَا بُنَيَّ إِنِّي أَرَى فِي الْمَنَامِ أَنِّي أَذْبَحُكَ فَانظُرْ مَاذَا تَرَى قَالَ يَا أَبَتِ افْعَلْ مَا تُؤْمَرُ سَتَجِدُنِي إِن شَاء اللَّهُ مِنَ الصَّابِرِينَ  4 فَلَمَّا أَسْلَمَا وَتَلَّهُ لِلْجَبِينِ  5 وَنَادَيْنَاهُ أَنْ يَا إِبْرَاهِيمُ
6 قَدْ صَدَّقْتَ الرُّؤْيَا إِنَّا كَذَلِكَ نَجْزِي الْمُحْسِنِينَ 7  إِنَّ هَذَا لَهُوَ الْبَلَاء الْمُبِينُ
7 وَفَدَيْنَاهُ بِذِبْحٍ عَظِيمٍ 8 وَتَرَكْنَا عَلَيْهِ فِي الْآخِرِينَ 9 سَلَامٌ عَلَى إِبْرَاهِيمَ
10كَذَلِكَ نَجْزِي الْمُحْسِنِينَ
“Ibrahimi u lut: O Zot, më jep një djalë të mbarë”. Dhe ne i dhuruam atij një djalë me mendje në kokë. Kur fëmija u rrit sa mund të vraponte, i tha atij: ” Biri im, unë shoh në ëndërr sikur po të ther ty, si t’ia bëjmë kësaj, ç’mendim ke”? I biri iu përgjigj: “Baba, ti mos u lodh duke menduar, po bëje atë që të urdhërohet prej Zotit. Me dëshirën e Zotit, edhe mua do të më shohësh të durueshëm”.Të dy iu bindën urdhrit të Zotit dhe, kur Ibrahimi e shtriu djalin për ta therur, i thirrëm atij: “Ibrahim, e vërtetove ëndrrën tënde duke e zbatuar. E hoqëm prej teje barrën për të therur tët bir. Kështu i shpërblejmë Ne të mirët. Vërtet kjo ishte  sprovë e madhe. Dhe i dhamë atij një Kurban
në vend të të birit.
    ” Dhe ndaj tij Ne lamë një kujtim të mirë për popujt pasardhës, në mënyrë që të thonë: “Paqja qoftë për Ibrahimin”. Kështu i shpërblejmë  Ne të mirët”(Safat: 100-110).

Siç po shihet, Kurbani rrit shpirtin e bindur ndaj Allahut, në këtë mënyrë njeriu do të shfaqë përkushtimin e tij të sinqertë dhe do të bëjë përpjekje për t’u afruar me Zotin duke shprehur falënderimin ndaj Zotit për të mirat që i ka dhënë edhe përmes Kurbanit, sakrificës, sepse pikërisht ky Kurban, nëse bëhet vërtet vetëm për hir të Allahut, do të bëjë afrimin në mes Zotit dhe robit.
Por duhet të kuptojmë faktin se qëllimi thelbësor i Kurbanit nuk është thjesht derdhja e gjakut, por, mbi të gjitha, qëllim janë përkushtimi, morali, devotshmëria dhe gatishmëria e besimtarit që të sakrifikojë për Allahun xh. sh..
Sepse në Kuran thuhet:
“Nuk është  as mishi as gjaku që arrin tek Allahu, por është përkushtimi juaj, që arrin tek Zoti” (El-haxh-37).              
Gjithashtu, Kurbani ka shumë urtësi për sa i përket jetës sociale. Kurbani mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës, ndihmon në gjetjen e një lloj baraspeshe   në shoqëri, ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore duke i nxitur të gjithë ata që kanë shpirt të pastër, drejt bashkëpunimit të mirëfilltë dhe konstruktiv.  Për të varfrit, që nuk kanë mundësi të blejnë mish dhe që, për fat të keq, në shoqërinë tonë, një shtresë që rritet përditë e më tepër, Kurbani është një mundësi mjaft e mirë që edhe këta njerëz të pajisen me nga një pjesë nga ky mish i kurbaneve. Kurbani e edukon  njeriun e pasur të japë dhe  të shpërndajë nga pasuria e tij, për të fituar kënaqësinë e Zotit; e nxit atë të ndihmojë të tjerët dhe të ndiejë thellë në ndërgjegje kënaqësinë për ndihmën që u  afron të tjerëve. Kështu,  i pasuri, jo vetëm që ka zbatuar një nga urdhrat e shumtë të Allahut Fuqiplotë, po në të njëjtën kohë, ai që jep dhe shpërndan të mira materiale për hir të Allahut, do të shpëtojë edhe nga një ves që në Islam është shumë i urryer, që është koprracia dhe pasioni i tepërt për pasurinë e kësaj bote..
Kur thuhet kurban, përgjithësisht kuptohet kafsha e therur pas namazit të Bajramit.   Këtë therje do ta bëjnë  personat që i plotësojnë kushtet e përcaktuara nga ana fetare e që sipas Islamit e kanë vaxhib (detyrim) të therin kurban .Therja e Kurbanit mund të bëhet vetëm gjatë tri ditëve të para të Bajramit.
Në Kuran, Allahu i drejtohet kështu Profetit (a.s.):
فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ
“Fal namaz për Zotin tënd dhe ther Kurban”.(Keuther 2)
Nëse Muhamedit a.s. i është urdhëruar që të falë namaz dhe të therë Kurban për Zotin, kjo vetvetiu kuptohet se do të jetë urdhër edhe për ne si ndjekës dhe praktikues të Islamit. Do të kuptojmë nga përvoja, se Kurbani është një detyrim që në një masë të madhe është pranuar dhe po praktikohet në jetën fetare nga besimtarët. Me rëndësi është këtu të përmendim se Kurbani po praktikohet, siç po shihet, kohën e fundit edhe tek një pjesë e madhe e besimtarëve të cilët lënë pas dore ose, thënë më mirë, nuk u kushtojnë një rëndësi të merituar detyrimeve të tjera të dorës së parë-farzeve, siç janë namazi, zekati ose agjërimi. Por një gjë të bën përshtypje që gjithashtu vërejmë edhe shumë laramani rreth kohës së therjes së Kurbanit, vendit, ndarjes së tij e kështu me radhë.
Prandaj është mirë që njerëzve  t’u bëhet me dije se Bashkësia Islame në Republikën e Kosovës,  bashkë me Këshillat vendorë të Bashkësive Islame, janë mobilizuar dhe mirëpresin të gjithë të interesuarit, të cilët, në pamundësi për të therur Kurbanet e tyre në mënyrë individuale, bëjnë therjen, paketimin dhe shpërndarjen e mishit të Kurbanit në mënyrë të organizuar. Nga ky mish  i Kurbanit do të përfitojnë të gjithë ata që kanë nevojë, qofshin individë ose institucione, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Të nderuar vëllezër besimtarë!
E lusim Allahun e Plotfuqishëm, që në këtë ditë feste, zemrat tona të shkëlqejnë me dritën e Imanit të paluhatshëm në Krijuesin e Gjithësisë. Le të jetë kjo një ditë kur ne të jemi në ndihmë të vëllezërve tanë që janë ende të pastrehë. Të kujdesemi për familjet e dëshmorëve dhe jetimët, sepse kjo ditë është ditë e solidarizimit në mes nesh. Allahu na i pranoftë lutjet tona. Amin!

(Ligjëratë e mbajtur më 8 dhjetor 2008 në xhaminë “Sulltan Murat” të Prishtinës  me rastin e  festës së Kuban- Bajramit)

 

 

 

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit

Vëllezër dhe motra,Të dashur qytetarë!Sot është dita e parë e Kurban Bajramit. Në këtë mën…