Prishtinë, 1 qershor 2018

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, shtroi iftar për kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava dhe për Kryesinë e BIK-ut. Në këtë iftar, Myftiu Tërnava falënderoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës z. Kadri Veseli për iftarin e shtruar dhe luti Zotin për mirëqenie të përgjithshme, theksoi se ky muaj është muaj i ibadetit, i solidaritetit, i vlerave shpirtërore dhe humane.

Në një fjalë rasti para tyre, kryeparlamentari Veseli tha se Bashkësia Islame e Kosovës historikisht ka qenë një institucion në shërbim të atdheut e kombit dhe se e tillë është edhe sot. Ramazani është muaji që simbolizon vlerat më universale të moralit njerëzor. Ai tha se përmes agjërimit ne jemi më afër Zotit dhe më afër njëri-tjetrit, ndërsa dëshmojmë se forca shpirtërore është më e madhe se interesat materialë.

Ne besuam te shteti dhe sot e kemi shtetin të pavarur dhe sovran. Ne besojmë tek e ardhmja jonë euro-atlantike dhe do t’ia arrijmë kësaj. Të gjithë së bashku, si komunitete dhe bashkësi fetare, jemi të përkushtuar për vendin dhe të ardhmen e tij,- tha kryetari i Kuvendit.

Në vazhdim, kryetari i Kuvendit të Kosovës kujtoi hoxhallarët që në kohë e rrethana të ndryshme kontribuuan e dhanë jetën për lirinë e kombin tonë, që nga Haxhi Zeka, Hoxhë Kadri Prishtina, Mulla Idriz Gjilani, Mulla Ilaz Broja e deri te 37 hoxhallarët që ranë dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai më tej tha: “Kurrë nuk do ta harrojmë sakrificën e tyre dhe, duke u nisur nga kjo, do të punojmë pandërprerë për ta bërë të sigurt lirinë tonë, shtetin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve të Kosovës në këtë tokë të bekuar nga Zoti”.​

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt program festiv për nder të 28 Nëntorit në “Medresenë Alauddin”

Prishtinë, më 27 nëntor 2024 Në ambientet e “Medresesë Alauddin” u organizua një program f…