Prishtinë, më 3 prill 2023
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë mori pjesë në iftarin që shtroi lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj.
Me këtë rast, kryetari Haradinaj, theksoi se si vazhdimësi e pritjeve tradicionale në muajin e shenjtë të Ramazanit, sonte, në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e patëm për nder të shtrojmë iftar për Myftiun Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë nga Bashkësia Islame e Kosovës.
“Harmonia dhe solidariteti në rrugën drejt qëllimeve të përbashkëta, janë vlerë e madhe e jona që e kanë lakmi edhe popujt me demokracitë më të avancuara. Shpreha mirënjohjen time për kontributin e çmuar të Bashkësisë Islame në Kosovë në të gjitha etapat drejt lirisë, pavarësisë̈ dhe shtetndërtimit. Me urimin që të jemi bashkë si gjithmonë në kultivimin e vlerave tona të përhershme, u dëshirova agjërim të lehtë dhe të pranuar në ditët e mbetura të Ramazanit” – u shpreh kryetari Haradinaj.
Myftiu Tërnava duke falënderuar kryetarin e AAK-së, z.Ramush Haradinaj për këtë iftar që tashmë është bërë tradicional, theksoi se BIK-u vazhdimisht punon që në Kosovë të ketë harmoni e bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë mes të gjithë njerëzve pavarësisht dallimeve etnike dhe fetare që mund t’i kemi.