Prishtinë, 23 dhjetor 2017
Me rastin e përfundimit të meremetimeve në xhaminë e fshatit Varosh të Ferizajt dhe për nder të Muajit të Mevludit, Këshilli i Bashkësisë Islame i Ferizajt organizoi një program fetsiv, ku morën pjesë kryeimami i Republikës së Kosovës Sabri ef. Bajgora, anëtari i Kryesisë së BIRK-ut Isa ef. Tërshani, kryetari i Këshillit Bujar ef. Hasani me këshilltarët, kryeimami Sulejman ef. Rosha, hoxhallarë, xhematli dhe mysafirë nga qytete të tjera të Kosovës.
Fjalë rasti mbajti imami i fshatit Varosh Avdush ef. Krosa, i cili, ndër të tjera, shprehu kënaqësinë e tij dhe të xhematit për praninë dhe ligjëratën e kryeimamit Sabri ef. Bajgora.
“Na është hijeshuar fshati me praninë e njeriut që po na kënaq duke na i sjellë komentimet e Kuranit shkencërisht e rrjedhshëm në gjuhën tonë të ëmbël, pa dyshim që punët e mbara Zoti i sjellë nëpërmjet njerëzve të mbarë”- theksoi imami Avdush Krosa.
Me këtë rast kryeimami Bajgora foli ne emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe mbajti një ligjëratë, në të cilën fillimisht përgëzoi për aktivitetin e Këshillit, përgëzoi xhematin dhe imamin e xhamisë së fshatit Varosh Avdush ef. Krosën për përfundimin e meremetimeve në këtë xhami duke lutur Zotin që kjo xhami të jetë në shërbim të xhematit, mësimit dhe të rrezatojë paqe, siguri e edukim për gjeneratat e reja. Ai po ashtu shprehu falënderimet dhe mirënjohjet për të gjithë ata kontributdhënës për shtëpinë e Allahut.
“Këtu jemi mbledhur sonte për të manifestuar një ndjenjë fisnike që kemi, gëzimin për Muajin e Mevludit, një muaji i shndritshëm në fenë Islame. Ne gjatë ligjërimeve tona, namazeve tona, dhe meditimeve tona dëshmojmë me gjuhë dhe vepër atë që Allahu xh.sh. e ka dëshmuar për pejgamberin e Tij.
Vërtet Allahu dhe melekët e Tij “jusal-lune( Allahu pranon e melekët luten)” për të Dërguarin, andaj o ju që keni besuar bini edhe ju salavat dhe përshendeteni me përshendetjen më të mirë, sepse lindja e tij e ndryshoi përfundimisht rrjedhën e jetës njerëzore”- tha kryeimami Bajgora.
Ai më tutje duke spikatur rolin e dërgimit të Muhamedit a.s. përmendi se atë e dërgoi kandil të shpresës dhe ndriçues dhe ishte mëshirë për mbarë botën. Dërgimi i tij ishte në momentin kur po fikeshin shkëndijat e fundit të monoteizmit në botë, kjo botë ishte shthururme imoralitet, kishin humbur ndjenjat njerëzore, krijesa njeri po nënçmohej nga vetë njeriu, kur gratë përbuzeshin skajshëm e trajtoheshin si kafshë, foshnjat vajza varroseshin në tokë vetëm pse ishin vajza. Pikërisht në këto momente të vështita dhe të rënda për njerëzimin, Allahu e dërgoi pejgamberin Muhamed a.s. si dëshmitar për botën mbarë dhe përgëzues për në rrugën e drejtë dhe qortues dhe thirrës në rrugën e Zotit.
Këtë tubim e përshendeeti edhe kryetari i KBI-së së Ferizajt Bujar ef. Hasani, i cili falënderoi imamin dhe xhematin kontributdhënës dhe të gjithë ata që kontribuan për xhaminë duke lutur Allahun që të gjithë ata t’i shpërblejë me të mirat e Tij.
Më pas u dha një program fetar-artistik: u lexua Kuran, u kënduan pjesë nga mevludi dhe ilahi. Interpretuan Ibrahim ef. Beqiri, Hakim ef. Ilzi, hfz. Ajdin Aliji, Sead ef. Llumnica, hfz.Besir Musliu dhe Avdush ef. Krosa. Moderonte Ilir ef. Maliqi.