Prishtinë, 22 dhjetor 2017
Me këndimin e tekbireve dhe lutjeve të shumta, në mënyrë solemne është vënë gurthemeli i xhamisë në Lagjen e Pajtimit në Shtime. Në këtë manifestim mori pjesë Myftiu i Republikës së Kosovës mr. Naim ef. Tërnava me stafin e tij, përfaqësues nga KFOR-i turk, hoxhallarë e xhematli të shumtë. Në pritje të tij kishte dalë kryetari i KBI-së së Shtimes Isa ef. Tërshani me bashkëpunëtorë.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Shtimes Isa ef. Tërshani, duke u dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve, i uroi banorët e këtij lokaliteti për këtë xhami të re duke lutur Zotin që të jetë një xhami në shërbim të besimtarëve dhe në të mirë të komunitetit.
“Para disa ditësh përuruam xhaminë në Mollopolc, kurse sot po e vendosim gurthemelin e kësaj xhamie. Kjo u bë e mundur falë kontributit të Kryesisë së BIRK-ut nën udhëheqjen e Myftiut Naim ef. Tërnava si dhe falë donatorit të këtij projekti dhe ne vazhdimisht po mundohemi që të krijojmë kushte sa më të mira për xhematlitë tanë”- tha kryetari Tërshani.
Ndërkaq Myftiu Naim ef. Tërnava, duke marrë fjalën, paraprakisht uroi banorët për këtë xhami të re, duke falënderuar Zotin që janë tubuar për një punë të hajrit. Në xhami adhurohet Ai që me të vërtetë meriton të adhurohet, Krijuesi i njeriut, të cilin e bëri krijesë më të mirë në sipërfaqe të tokës. Ai më tutje citoi ajetin kuranor, ku Zoti thotë: ”Me të vërtetë xhamitë i ndërtojnë (kujdesen për to) ata që bindshëm besojnë në Allahun dhe ditën e fundit, e falin namazin e japin zekatin dhe nuk ia kanë dronë askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë ata të udhëzuarit”.
Ai më tej tha se falë sakrificave që ka bërë ky popull, ne sot jemi në gjendje të ndërtojmë xhami, shkolla, spitale, rrugë, të arsimohemi dhe t’i arsimojmë gjeneratat e reja. “Ky lokalitet ka dhënë shumë edhe në luftën e fundit. Assesi nuk mund ta harrojmë masakrën e Reçakut. Me këtë rast, lusim Allahun xh.sh., që ata dëshmorë t’i shpërblejë me të mirat e Tij. Xhamitë gjithnjë kanë reflektuar shpresë, dritë, ardhmëri për të gjithë njerëzit, asnjëherë nuk kanë qenë vend i së keqës, por vend i ardhmërisë së sigurt. Këtu do të edukohet brezi i ri si duhet, duke mos u lënë vend të tjerëve që ata të na i edukojnë femijët tanë. Xhamia asnjëherë nuk ka pasur lidhje me terrorizëm, esktermizëm as radikalizëm. Këto janë të përjashtuara nga themelet e xhamisë, Kuranit dhe thëniet e Muhamedit a.s. dhe nuk janë pjesë e Islamit. Duhet të kujdesemi të krijojmë një ardhmëri më të mirë për vendin tonë”- tha mes tjerash Myftiu Tërnava.
Ai u lut që shumë shpejt të falim namzin e parë në këtë xhami, gurthemelin e së cilës po e vendosim sot.

Në emër të fshatit, takimin e përshendeti Xhavit Krasniqi, i cili falënderoi Myftiun Tërnava për interesimin e tij të vazhdueshëm në ndihmë të myslimanëve si dhe falënderoi edhe strukturat e Komunës së Shtimes që dhanë kontribut për ndërtimin e kësaj xhamie.
Ndërtimi i kësaj xhamie bëhet nga Bashkësia Islame e Kosovës, në bashkëpunim me shoqatën bamirëse “Muhamed bin Rashid Al Mektum” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim ambasadorin e ShBA-ve, z. Jeffrey Hovenier

Prishtinë, më 10 dhjetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tër…