Në Kosovë ka tolerancë dhe bashkëpunim ndërmjet bashkësive fetare, u tha të martën në një debat të organizuar nga Misioni për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).
Udhëheqësit e bashkësive kryesore fetare në Kosovë lavdëruan shkallën e bashkëpunimit ndërmjet vete, kurse kërkuan nga institucionet që krahas përkujdesjes, të sigurojnë edhe rregullimin juridik të pozitës dhe funksionimit të tyre.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, tha se bashkësitë fetare në Kosovë nuk kanë probleme mes vete. Bashkëpunimi dhe toleranca mes bashkësive fetare, theksoi myftiu Tërnava, paraqet një faktor të stabilitetit në vend.
“Dialogun ndërfetar nuk ka nevojë që ta promovojmë. Këtë e kemi dëshmuar përgjatë shekujve se ne, duke jetuar pranë njërit – tjetrit, jetojmë me realitetin pa asnjë dallim e diskriminim mbi baza fetare”, theksoi Tërnava.
Myftiu Tërnava, megjithatë, tërhoqi vërejtjen se edhe pas 14 vjet të mbarimit të luftës, bashkësitë fetare në Kosovë nuk e kanë të rregulluar pozitën e tyre juridike. Kjo ka reflektuar negativisht në punën e tyre, vazhdoi Tërnava, duke rikujtuar që rregullimi i pozitës juridike është kërkuar edhe nga Komisioni Evropian, si dhe faktorë të tjerë ndërkombëtar.
“Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës konsideron se institucionet e vendit kanë këto çështje me prioritet për t’i zgjidhur në raport me bashkësitë fetare: Miratimin e ligjit për bashkësitë fetare, hartimin e ligjit për kthimin e pronave të bashkësive fetare që u janë konfiskuar nga ish-sistemi, ndarjen e buxhetit për financimin e bashkësive fetare, si dhe respektimi i të drejtave fetare në institucionet publike, sidomos në fushën e arsimit dhe të punësimit”, tha myftiu Tërnava.
Ndërkaq, peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, tha se bashkëpunimi është rruga e vetme që duhet kultivuar bashkësitë fetare. Sa i përket kishës ortodokse serbe, ai tha se prioritet mbetet ruajtja e trashëgimisë dhe identitetit.
“Sa i përket kishës ortodokse serbe pikë së pari prioritet kemi ruajtjen e identitetit, ruajtjen e pasurisë në mënyrë që pasardhësve t’ua lëmë këtë pasuri siç e kemi trashëguar edhe ne nga paraardhësit tanë ”, u shpreh peshkopi Teodosije.
Për këto qëllime, ai tha, po ashtu, se gëzon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe të bashkësive fetare në Kosovë.
Kurse, administratori Katolik i Administratës Apostolike të Kosovës, ipeshkvi Dodë Gjergji, tha se bashkëpunimi për tejkalimin e problemeve të përbashkëta është rruga më e mirë që duhet të ndjekim bashkësitë fetare.
“Angazhimi i bashkësive të përballen me vështirësitë, por edhe së bashku të kontribuojnë për të mirën e të gjithëve, është rruga e vetme që na shpie drejt një bashkëpunimi të shëndoshë dhe drejt një të ardhmeje të qëndrueshme”, tha ipeshkvi Dodë Gjergji.
Në debat morën pjesë edhe udhëheqësi i Kishës Ungjillore Protestante të Kosovës, Driton Krasniqi, dhe udhëheqësi i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri.
Përderisa organizatori i këtij debati, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, tha se liritë fetare bëjnë pjesë në kuadër të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe si të tilla duhet respektuar dhe kultivuar në shoqëritë moderne, pra edhe në Kosovë.