Në Tiranë u mbajt Konferenca e VI-të e liderëve myslimanë të Ballkanit Tiranë, 18 maj 2013 Në Tiranë, zhvilloi punimet Konferenca e VI-të e Kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit, e organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani.Konferenca nga liderët myslimanë të Ballkanit për diskutim pati temën “Roli i Islamit dhe përfaqësuesve të fesë në zgjidhjen e problemeve sociale dhe shpirtërore” u organizua paraditen e sotme, më 18 maj 2013, ku ishin të pranishëm liderë dhe personalitete fetare e publike nga vendet e rajonit, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe të ftuar të tjerë, në këtë konferencë qe i pranishëm edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me bashkëpuntorë.Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, bëri një ekspozë të veprimtarisë 22 vjeçare të KMSH-së. Në vijim të fjalës së tij z. Muça u shpreh: “Islami shumë shekuj më parë nëpërmjet burimeve të tij autentike, Kuranit dhe Traditës Profetike, i ka dhënë zgjidhje jo vetëm teorike, por edhe praktike të gjitha problemeve, mjafton që ne si përfaqësues të tij, të gjejmë çelësin dhe ilaçin e duhur për t’i kuruar sëmundjet dhe problemet sociale që na rrethojnë.”Më tej, z. Muça theksoi se: “Që një prijës fetar të pranohet nga njerëzit që e ndjekin pas, duhet që të jetë në gjendje t’i zgjidhë të gjitha problemet që i përkasin shoqërisë. Profeti Muhamed (a.s.), modeli që besimtarët ndjekin në jetën e tyre, u dha zgjidhje të gjitha situatave, duke i kthyer madje në favor të tij dhe të besimtarëve.”Kryetari Muça u ndal edhe në dukuritë që shqetësojnë shoqërinë shqiptare dhe atë njerëzore, si dhe vuri theksin në zgjidhjet e tyre sipas metodës profetike. “Sot shoqëria ka marrë plagë të thella morale e shoqërore. Pavarësisht masave dhe nismave të ndryshme që merren për parandalimin e tyre, ato vazhdojnë të jenë një shqetësim i vazhdueshëm. Kjo gjendje do të vazhdojë kështu, derisa të merret si referencë profeti Muhamed (a.s.), si shembull ideal për edukimin e çdo brezi”.Në këtë pikëtakim të liderëve të rajonit foli edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Turqisë, prof. dr. Mehmet Gormez, i cili përveç se shprehu kënaqësinë mbi pjesëmarrjen në këtë konferencë të gjerë, vlerësoi rolin e Komunitetit Mysliman në shërbim të shoqërisë shqiptare dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të larta morale e njerëzore. Në fjalën e tij para të pranishmëve z. Gormez theksoi se në kushtet ku ne jetojmë, feja luan rol të rëndësishëm në procesin e socializmit dhe rrjedhimisht të edukimit të individit.“Feja – u shpreh z. Gormez, – është shumë e rëndësishme në jetën e njeriut për paqen shpirtërore, për krijimin e vlerave humane dhe moralin. Besimi dhe feja kontribuojnë në të mirën e shoqërisë. Feja është një disiplinë që ndikon mendimet dhe sjelljet e individit.”“Nëse në jetën sociale dhe konkretisht në analizën e këndvështrimit të shkencave humane nuk inkurajohet dimensioni shpirtëror, atëherë shoqërisë do t’i mungojë një arterie e rëndësishme siç është shpirti i besimit. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ashtu sikurse pushteti ka një rol të pamohueshëm në zbatimin e ligjit dhe normave shoqërore, edhe rëndësia e fesë në këtë fushë është e pamohueshme”, përfundoi fjalën e tij kreu i myslimanëve të Turqisë. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në fjalën e tij përshëndetëse nënvizoi se mesazhi universal i fesë Islame, duhet të lexohet dhe shpjegohet qartë, dhe duke ecur nëpërmjet rrugës së profetit Muhamed (a.s.), të bëhet e mundur zgjidhja e problemeve shpirtërore të individëve dhe shoqërisë. Myftiu Tërnava për gjendjen sociale e shpirtërore në vendin tonë tha, Kosova, si një ndër shtetet më të reja në Evropë, me gjithë rezultatet e arritura në shtetndërtim dhe në konsolidimin institucional, që është për t’u përshëndetur, për shkak të shumë faktorëve përballet më gjendje të rëndë sociale. Më tutje myftiu tha: Megjithqë Kosova ka një popullatë të re me një potencial të madh për punë, shkatërrimi i bazës ekonomike, mos hapja e vendeve të reja të punës, kanë bërë që në Kosovë të kemi 50 % të popullatës së aftë të papaunë. Kjo situatë ka krijuar një gjendje të rëndë sociale.Në këtë situatë, BIK-u me të gjitha institucionet e saj është angazhuar që të jetë pranë popullit, me të vetmin qëllim që besimtarët tanë të tejkalojnë sa më lehtë gjendjen e rëndë sociale.Më pas myftiu foli gjatë mbi kontributin social e shpirtërorë që ka dhënë BIK-u në Kosovë, për të përfunduar “Në fund më lejoni të them se në tejkalimin e problemeve sociale BIK-u, respektivisht imamët tanë kanë një rol vendimtar, ngase siç dihet islami është sistem jete, ndërsa imamët dhe liderët fetarë janë shpjegues dhe interpretues të fesë-islamit. Imamët janë ata që njohin nga afër xhematin, njohin mirë hallet e tyre, dinë problemet me të cilat përballen, andaj edhe e dinë çka duhet e si duhet vepruar. Njohin mirë gjendjen ekonomik të xhematit-popullit, njohin mirë edhe gjendjen shpirtërore, aq më tepër kur xhemaitlinjt edhe u shprehin shqetësimet e tyre imamëve e rrjedhimisht edhe institucioneve fetare, ku edhe kanë besim të veçantë.Për këtë qëllim, ne BIK-u, me gjithë vështirësitë, prej kohësh kemi shoqatën humanitare e cila merret me tejkalimin e gjendjes së rëndë sociale.Tubimi i sotëm mund të ndihmoj në organizmin tonë më të mirë, në këmbimin e përvojave, dhe në ndihmën reciproke. Në vijim foli edhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, H. Sulejman Rexhepi. i cili e vuri theksin në rëndësinë e kësaj konference që po zhvillohet në Shqipëri, vend ku liria e besimit u mohua për disa dekada, çka solli edhe rrënimin moral e shpirtëror të popullit shqiptar. Ai shtoi se “njerëzit e çdo feje, gjuhe dhe kombi, jetojnë prej shekujsh në këto troje në paqe dhe harmoni, e arritur kjo përmes përjetimit të fesë së lartë islame, e cila është bërë shkas për krijimin e kushteve të bashkëjetesës midis popujve tanë”.{gallery}konf6{/gallery}Konferenca vijoi me fjalët e krerëve të komuniteteve myslimane të shteteve të tjera pjesëmarrëse si: Mali i Zi, Greqia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania dhe Qiproja. Ata theksuan se Zoti i lartësuar i ka atribuuar njeriut cilësinë e mëkëmbësit të tij në tokë, dhe e ka pajisur atë me intelekt, i ka shpallur libra hyjnorë për ta orientuar në kryerjen e misionit të tij, për të ndërtuar një shoqëri vëllazërore të shëndoshë shpirtërisht.Në fund të konferencës, të pranishmit dolën me një deklaratë të përbashkët në thelb të së cilës shprehej angazhimi i tyre i hapur për të shtuar ndihmesën dhe rritur kontributin e tyre në rrafshin social e shpirtëror.Konferenca e Kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit zhvillohet për çdo vit në shtete të ndryshme të rajonit për të diskutuar mbi probleme të ndryshme me karakter fetar e social. Është hera e parë që kjo konferencë i zhvillon punimet e saj në kryeqytetin shqiptar.