Tiranë, 18 maj 2013
Në Tiranë, zhvilloi punimet Konferenca e VI-të e Kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit, e organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani.
Konferenca nga liderët myslimanë të Ballkanit për diskutim pati temën “Roli i Islamit dhe përfaqësuesve të fesë në zgjidhjen e problemeve sociale dhe shpirtërore” u organizua paraditen e sotme, më 18 maj 2013, ku ishin të pranishëm liderë dhe personalitete fetare e publike nga vendet e rajonit, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe të ftuar të tjerë, në këtë konferencë qe i pranishëm edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me bashkëpuntorë.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, bëri një ekspozë të veprimtarisë 22 vjeçare të KMSH-së.
Në vijim të fjalës së tij z. Muça u shpreh: “Islami shumë shekuj më parë nëpërmjet burimeve të tij autentike, Kuranit dhe Traditës Profetike, i ka dhënë zgjidhje jo vetëm teorike, por edhe praktike të gjitha problemeve, mjafton që ne si përfaqësues të tij, të gjejmë çelësin dhe ilaçin e duhur për t’i kuruar sëmundjet dhe problemet sociale që na rrethojnë.”
Më tej, z. Muça theksoi se: “Që një prijës fetar të pranohet nga njerëzit që e ndjekin pas, duhet që të jetë në gjendje t’i zgjidhë të gjitha problemet që i përkasin shoqërisë. Profeti Muhamed (a.s.), modeli që besimtarët ndjekin në jetën e tyre, u dha zgjidhje të gjitha situatave, duke i kthyer madje në favor të tij dhe të besimtarëve.”
Kryetari Muça u ndal edhe në dukuritë që shqetësojnë shoqërinë shqiptare dhe atë njerëzore, si dhe vuri theksin në zgjidhjet e tyre sipas metodës profetike. “Sot shoqëria ka marrë plagë të thella morale e shoqërore. Pavarësisht masave dhe nismave të ndryshme që merren për parandalimin e tyre, ato vazhdojnë të jenë një shqetësim i vazhdueshëm. Kjo gjendje do të vazhdojë kështu, derisa të merret si referencë profeti Muhamed (a.s.), si shembull ideal për edukimin e çdo brezi”.
Në këtë pikëtakim të liderëve të rajonit foli edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Turqisë, prof. dr. Mehmet Gormez, i cili përveç se shprehu kënaqësinë mbi pjesëmarrjen në këtë konferencë të gjerë, vlerësoi rolin e Komunitetit Mysliman në shërbim të shoqërisë shqiptare dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të larta morale e njerëzore. Në fjalën e tij para të pranishmëve z. Gormez theksoi se në kushtet ku ne jetojmë, feja luan rol të rëndësishëm në procesin e socializmit dhe rrjedhimisht të edukimit të individit.
“Feja – u shpreh z. Gormez, – është shumë e rëndësishme në jetën e njeriut për paqen shpirtërore, për krijimin e vlerave humane dhe moralin. Besimi dhe feja kontribuojnë në të mirën e shoqërisë. Feja është një disiplinë që ndikon mendimet dhe sjelljet e individit.”
“Nëse në jetën sociale dhe konkretisht në analizën e këndvështrimit të shkencave humane nuk inkurajohet dimensioni shpirtëror, atëherë shoqërisë do t’i mungojë një arterie e rëndësishme siç është shpirti i besimit. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ashtu sikurse pushteti ka një rol të pamohueshëm në zbatimin e ligjit dhe normave shoqërore, edhe rëndësia e fesë në këtë fushë është e pamohueshme”, përfundoi fjalën e tij kreu i myslimanëve të Turqisë.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në fjalën e tij përshëndetëse nënvizoi se mesazhi universal i fesë Islame, duhet të lexohet dhe shpjegohet qartë, dhe duke ecur nëpërmjet rrugës së profetit Muhamed (a.s.), të bëhet e mundur zgjidhja e problemeve shpirtërore të individëve dhe shoqërisë.
Myftiu Tërnava për gjendjen sociale e shpirtërore në vendin tonë tha, Kosova, si një ndër shtetet më të reja në Evropë, me gjithë rezultatet e arritura në shtetndërtim dhe në konsolidimin institucional, që është për t’u përshëndetur, për shkak të shumë faktorëve përballet më gjendje të rëndë sociale. Më tutje myftiu tha: Megjithqë Kosova ka një popullatë të re me një potencial të madh për punë, shkatërrimi i bazës ekonomike, mos hapja e vendeve të reja të punës, kanë bërë që në Kosovë të kemi 50 % të popullatës së aftë të papaunë. Kjo situatë ka krijuar një gjendje të rëndë sociale.
Në këtë situatë, BIK-u me të gjitha institucionet e saj është angazhuar që të jetë pranë popullit, me të vetmin qëllim që besimtarët tanë të tejkalojnë sa më lehtë gjendjen e rëndë sociale.
Më pas myftiu foli gjatë mbi kontributin social e shpirtërorë që ka dhënë BIK-u në Kosovë, për të përfunduar “Në fund më lejoni të them se në tejkalimin e problemeve sociale BIK-u, respektivisht imamët tanë kanë një rol vendimtar, ngase siç dihet islami është sistem jete, ndërsa imamët dhe liderët fetarë janë shpjegues dhe interpretues të fesë-islamit. Imamët janë ata që njohin nga afër xhematin, njohin mirë hallet e tyre, dinë problemet me të cilat përballen, andaj edhe e dinë çka duhet e si duhet vepruar. Njohin mirë gjendjen ekonomik të xhematit-popullit, njohin mirë edhe gjendjen shpirtërore, aq më tepër kur xhemaitlinjt edhe u shprehin shqetësimet e tyre imamëve e rrjedhimisht edhe institucioneve fetare, ku edhe kanë besim të veçantë.
Për këtë qëllim, ne BIK-u, me gjithë vështirësitë, prej kohësh kemi shoqatën humanitare e cila merret me tejkalimin e gjendjes së rëndë sociale.
Tubimi i sotëm mund të ndihmoj në organizmin tonë më të mirë, në këmbimin e përvojave, dhe në ndihmën reciproke.
Në vijim foli edhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, H. Sulejman Rexhepi. i cili e vuri theksin në rëndësinë e kësaj konference që po zhvillohet në Shqipëri, vend ku liria e besimit u mohua për disa dekada, çka solli edhe rrënimin moral e shpirtëror të popullit shqiptar. Ai shtoi se “njerëzit e çdo feje, gjuhe dhe kombi, jetojnë prej shekujsh në këto troje në paqe dhe harmoni, e arritur kjo përmes përjetimit të fesë së lartë islame, e cila është bërë shkas për krijimin e kushteve të bashkëjetesës midis popujve tanë”.{gallery}konf6{/gallery}
Konferenca vijoi me fjalët e krerëve të komuniteteve myslimane të shteteve të tjera pjesëmarrëse si: Mali i Zi, Greqia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania dhe Qiproja. Ata theksuan se Zoti i lartësuar i ka atribuuar njeriut cilësinë e mëkëmbësit të tij në tokë, dhe e ka pajisur atë me intelekt, i ka shpallur libra hyjnorë për ta orientuar në kryerjen e misionit të tij, për të ndërtuar një shoqëri vëllazërore të shëndoshë shpirtërisht.
Në fund të konferencës, të pranishmit dolën me një deklaratë të përbashkët në thelb të së cilës shprehej angazhimi i tyre i hapur për të shtuar ndihmesën dhe rritur kontributin e tyre në rrafshin social e shpirtëror.
Konferenca e Kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit zhvillohet për çdo vit në shtete të ndryshme të rajonit për të diskutuar mbi probleme të ndryshme me karakter fetar e social. Është hera e parë që kjo konferencë i zhvillon punimet e saj në kryeqytetin shqiptar.