Liritë fetare sipas modelit të BE duke i pasur parasysh edhe specifikat që ka vendi ynë
Prishtinë, 7 maj 2013
Komisioni këshillëdhënës për çështjet e lirive fetare, i themeluar kohë më parë nga kryeministri i Kosovës, sot në konferencë për shtyp ka shpalosur punën e tij të deritashme, pas vizitave që ka bërë në disa vende të BE dhe vende të rajonit.
Amir Ahmeti, kryesues i komisionit, pasi foli për qëllimet e themelit të komisionit, për punën e bërë deri më tash, tha:
– Në të gjitha vendet që i kemi vizituar, Bashkësitë Fetare shihen si partnere të institucioneve shtetërore dhe në të gjitha vendet statusi juridik i tyre është i zgjidhur me ligj të veçantë.
– Mosdiskriminimi fetar është shumë me i avancuar se te ne, dhe përkundër sanksionimit të lirive dhe të drejtave fetare me ligj te ne, në praktikë ka shumë defekte, të tilla që nuk mund t’i gjesh në shumicën absolute të vendeve të BE-së.
-Në vendet që kemi vizituar, kemi parë se në një mënyre apo tjetër, bashkësitë fetare mbështeten financiarisht nga shteti. Me rëndësi është të përmendet edhe përkrahja morale që shteti u jep bashkësive fetare, këtu mund të përmendim edhe protokollin e shtetit, i cili udhëheqësit fetar i ka renditur në një shkallë të lartë në krahasim me protokollin e Kosovës.
– Po ashtu, në të gjitha vendet e vizituara nga komisioni ynë, kemi parë se në sistemin publik të arsimit organizohet lënda e edukatës fetare, diku si lëndë obligative e diku fakultative, përveç në Francë, ku Ministria e Arsimit nuk organizon drejtpërdrejt implementimin e kësaj lënde, por edhe këtu nxënësit janë të lirë një ditë në javë për t’iu përkushtuar fesë.
– Edhe e sa i përket bartjes së shamisë së vajzave myslimane gjatë procesit mësimor, përveç në Francë nuk ishte e ndaluar askund me ligj apo me ndonjë akt tjetër nënligjor të nxjerrë nga
Ministria e Arsimit siç është rasti të ne.
– Në disa prej këtyre vendeve përveç qe statusi juridik është i rregulluar me ligj, ato janë edhe të njohura zyrtarisht si fe duke i futur në kushtetute. p.sh. në Austri përveç fesë krishtere, hebreje, është e njohur zyrtarisht edhe feja islame e cila sivjet bënë 101 vjet si fe zyrtare e shtetit austriak.
– Në Universitete, spitale, kazerma ushtarake e aeroporte janë të vendosura vende të posaçme për lutje, pra faltore për të gjithë besimtaret e të gjitha konfesioneve.
Anëtari i Komisionit, Sabri ef. Bajgora tha se pret që qeveria e Kosovës në bashkëpunim me bashkësitë fetare të vendit në mënyrë institucione e në rrugë ligjore, duke i respektuar konventat ndërkombëtare por edhe duke u bazuar në traditën e mirë e pozitive të vendeve të BE, të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë më fenë e me bashkësitë fetare, duke u nisur nga definimi i pozitës juridike të bashkësive fetare, pastaj mësimi i lëndës fetare në sistemin e shkollimit publik, vijimi i mësimit të nxënëseve me shami etj të gjendet zgjidhje sipas modelit të BE ku edhe aspirojmë të integrohemi, gjithnjë duke i pasuar parasysh edhe specifikat që ka vendi ynë.
Kryeimami Bajgora tha se në këtë s’ka dyshim se do të ndikoj edhe raporti i komisionit në fjalë që do i përgatitet së shpejti qeverisë.
Anëtar të këtij komisioni përveç deputetit Amir Ahmetit e kryeimamit, Sabri Bajgora janë edhe zv. ministri i jashtëm Petrit Selimi dhe Habib Hajredini nga Zyra e Kryeministrit.