Myftiu Tërnava priti kryetarin e Gjilanit Qemajl Mustafa Prishtinë, 27 janar 2012 Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava priti sot kryetarin e Gjilanit, Qemajl Mustafa me bashkëpunëtorë, të cilin pasi e falënderoj për vizitën e njohu atë me sfidat dhe sukseset e Bashkësisë Islame të Kosovës. Myftiu Tërnava vlerësoi lart bashkëpunimin e Komunës së Gjilanit me Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan, bashkëpunim ky që mund të shërbej si model dhe shembull edhe për komunat tjera. “Bashkëpunimi, duke pasur parasysh interesin e përgjithshëm të qytetareve, është në të mirë të të gjithëve, madje është në të mirë edhe të vet shtetit të Kosovës”- tha ndër të tjerat Myftiu Naim Tërnava. Fal bashkëpunimit tuaj me Bashkësinë Islame ne kemi vendosur që në Gjilan të financojmë ndërtimin e një çerdheje për fëmijë, e cila do të jetë pjesë e institucioneve edukative e arsimore që funksionojnë në kuadër të BIK. Ndërsa, kryetari i Gjilanit, z. Qemal Mustafa, tha se Komuna e Gjilanit ka kultivuar bashkëpunim të shkëlqyer me Bashkësinë Islame të Gjilanit në funksion të besimtarëve dhe qytetarëve tanë. Kryetari Mustafa, gjithashtu, falënderoj Myftiun për përzgjedhjen e Gjilanit për realizimin e projektit të çerdhes, sepse për ne kjo ka domethënie të madhe dhe Gjilani realisht ka nevoje për të. Në takim u bisedua edhe për medresenë në Gjilan pas ndërtimit të Godinës se re dhe se shumë shpejt do të bëhet edhe hapje zyrtare e saj. Kryetari Mustafa me bashkëpunëtorë vizitoj edhe objektin e ri të Fakultetit të Studimeve Islame, ku u pritën nga dekani, prof. dr. Qazim Qazimi.