Prishtinë, 5 nëntor 2011
Të nderuar besimtarë!

Vëllezër dhe motra!

Të nderuar qytetar të Kosovës!

Nesër është dita madhështore e Kurban – Bajramit, festë kjo të cilën e karakterizon gatishmëria  e njeriut që për Allahun e madhëruar të sakrifikoj si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në atë material.

 

Këtë festë gjithashtu e karakterizon vendosmëria e besimtarëve për kryerjen e obligimeve të Haxhit, ku miliona besimtarë të bashkuar dhe të barabartë e lartësojnë emrin e Allahut Fuqiplotë dhe luten për paqe, mirëqenie dhe falje për të gjithë.

Të nderuar besimtarë!

Çdo festë e jona e ka urtësinë dhe porosinë e vet, por porosia e festës së Kurban – Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë, flijimit, sakrificës, pajtimit dhe solidaritetit. Kjo festë gjithashtu na e zgjon ndjenjën e dashurisë ndaj të vërtetës, ndaj drejtësisë dhe ndaj çdo gjëje që është e mirë dhe njerëzore. Në Kuran shkruan: “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna”.

Prandaj çdo njeri duhet të kuptoj se jeton për të bërë vepra të mira dhe për ta luftuar të keqën. Çdo njeri ka për obligim të promovoj vlera të dashurisë, të përhap respekt, harmoni dhe kënaqësi te të gjithë ata që jetojnë pranë tij, pavarësisht përkatësisë nacionale apo besimit që i përkasin.

Të nderuar besimtarë!

Nesër kërkohet nga ne që festën e Kurban – Bajramit ta shndërrojmë në ditë të përtëritjes së lidhjeve farefisnore, në ditë respekti, në ditë faljeje, pajtimi dhe solidariteti.

Në këtë ditë feste kemi për obligim ti vizitojmë të sëmurit dhe të afërmit tanë, ti vizitojmë jetimët dhe skamnorët. Në këtë ditë feste të Bajramit prej nesh kërkohet t’i vizitojmë familjet e dëshmorëve, t’i vizitojmë familjet e atyre që kanë rënë pas luftës në përpjekje për mbrojtjen, konsolidimin dhe forcimin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Ti vizitojmë këto kategori të shoqërisë sonë dhe të solidarizohemi me ta në mënyrë që çdo familje, çdo shtëpi dhe çdo cep i vendit tonë të e shijoj gëzimin e festës së Kurban – Bajramit.

Të nderuar besimtarë!

Në fund më lejoni që në emër të BIK-ut, në emër të Myftiut Naim ef. Tërnava dhe në emrin tim t’iu shpreh urimet më të sinqerta për festën e Kurban – Bajramit të gjithë vëllezërve dhe motrave tonë si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë, duke e lutur Allahun fuqiplotë që mëshira, paqja dhe begatia e Tij të mbretëroj mbi familjet tona përgjithmonë.

ME FAT FESTA E KURBAN – BAJRAMIT!

Dr. Fahrush REXHEPI

Zëvendëskryetar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…