Prishtinë, 16 nëntor 2010

Hytbeja e Myftiu të Kosovës, Mr. Naim Tërnava mbajtur në Xhaminë “Sulltan Mehmet -Fatih” në Prishtinë me rastin e Kurban-Bajramit

Besimtarë të nderuar!
Vëllezër e motra!

Sot është ditë feste për mbar myslimanët ,ditë që bashkon zemrat e myslimanëve anë e mban botës, për të përjetuar me shpirt gëzimin e harenë, duke e falënderuar Allahun për begatit e dhuruara në këtë botë për krijesën më të përsosur njeriun.

Festa e Kurban – Bajramit për besimtarët përbën këshilla e porosi, të cilat e ndihmojnë besimtarin për organizimin e jetës në këtë botë në përputhje me porosit kuranore, ngase jeta e njeriut duhet të përmbaj në vete vlerat më sublime.
Libri hyjnor i Islamit, Kurani mbështet konceptet e moralit, dashurisë, mëshirës,
përkushtimit, ndihmës, solidaritetit, sakrificës.
Ndaj njeriu në këtë ditë feste është edhe më afër Zotit, ngase mbretëron një atmosferë vëllazërore nëpërmjet të cilës besimtarët shprehin falënderimin ndaj Krijuesit Fuqiplotë,për të mirat e dhuruara në këtë jetë.
Ne të gjithë bashkërisht jemi përgjegjës para Zotit për veprat tona prandaj le të frymëzohemi edhe në këtë ditë feste të Kurban Bajramit  për punë të mira, nëpërmjet kryerjes së Haxhit një prej shtyllave të Islamit dhe prerjes së Kurbanit në mënyrë që Zoti të jetë i kënaqur me veprat tona.

All-llahu xh .sh thotë: ”Vizita e Qabes për hir të Allahut,është detyrim për atë që ka mundësi.

Nëpërmjet këtij adhurimi i cili zhvillohet në një atmosferë vëllazërore me pjesëmarrës nga të gjitha anët e botës, vend takim ku dominon respekti e dashuria ndërmjet të gjithëve ku shfaqet mëshira e pafundme e Allahut xh. Sh,duke bërë tavaf Qaben, zemrat tona begatohen me dritën e besimit, dhe nëpërmjet këtij ibadeti gjejmë edhe  kënaqësinë shpirtërore, duke treguar respektin dhe dashurin ndaj Krijuesit,dhe urdhrave të Tij.

Allahu xh.sh. thotë: “Thuaj Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun…

Haxhi është një përkushtim i përbashkët ndaj Zotit të Madhërishëm, duke treguar në vazhdimësi gatishmërinë për t’i sakrifikuar interesat shpirtërore e materiale në shërbim të Allahut xh. sh. duke rikujtuar se Qabeja është drejtimi shpirtëror i të gjithë muslimanëve pavarësisht se kah vijnë për të kryer këtë ibadet.
Haxhi dhe Kurbani, secila në mënyrë të vet mban vlerat më fisnike për shoqërinë Islame, nëpërmjet dashurisë e respektit ndaj Krijuesit të kësaj gjithësie  .
Vëllezër të dashur:
Numrit të madh të haxhinjve nga e mbar bota në vendet e shenjta iu kanë bashkangjitur edhe haxhinjët nga Kosova, të gjithë bashkërisht pa dallim gjuhe,vendi a race,e lusin Allahun për falje të mëkateve, për solidaritet mes njerëzve, për shpërblimet e Allahut në këtë dhe botën tjetër. Ata sot në këtë mëngjes të bekuar, e të pamëkate, tashmë kanë zbritur nga rrafshnalta e Arafatit dhe Muzdelifes dhe ia kanë mërsyer Mines duke e lutur Allahun për një mirëqenie të përgjithshme mes njerëzve. Duke rikujtuar edhe pejgamberet e shumtë që kaluan nëpër ato vende me të vetmin qëllim që të thërrasin njerëzit për besim në Zotin Një, dhe largimin nga idhujadhurimet e shumta, besimin në shumë zota.

Allahu xh.thotë:
O ju që  besuat, falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhuroni. Bëni punë të mira(të dobishme) se do të gjeni shpëtim. …” (El-Haxhxh: 77-78)
Çdo herë që gjendemi pran Qabes na Kujtohen pejgamber të shumtë, na kujtohet  Ibrahimi dhe Ismaili as dhe ngritja e mureve të Qabes, na kujtohet vendosmëria e Ibrahimit .as. për ta flijuar birin  e tij në emër  të Zotit. Muhamedi a.s. dhe ndodhi të shumta që ndodhën në Mekë në të gjallë të Muhamedit a.s. Fillimi i Zbritjes së Kuranit,vuajtjet e Muhamedit .a.s dhe muslimanëve, Hixhreti, çlirimi i Mekës, Pastrimi i Qabes prej idhujve e putave të shumtë.
Ndaj në emër të këtij përkushtimi e sakrifice, ju ftoi që të shtrini dorën e ndihmës ndaj atyre që kanë nevojë, ndaj jetimëve e skamnorëve, nëse dëshironi që mëshira, e begatit e  e Allahut të jen mbi ju dhe familjet tuja. Ngase Allahu bleu prej besimtarëve që i besojnë me sinqeritet, shpirtrat dhe mallin e tyre, në shkëmbim të mirëqenies së përjetshme xhenetit. Andaj mos u bëni koprrac e dorështrënguar, ngase te besimtari nuk mund të gjenden dy veti, koprracia dhe morali i keq.
Sofra e bajramit është simbol që  bashkon dhe ofron familjet mes vete, shton respektin dhe nderin mes besimtarëve, kurrë mos lejoni që në mesin tonë të kemi sofra të zbrazura e njerëz të uritur, e fëmijë të përlotur,për mungesë ushqimi. Sofra e Bajramit vjen kur besimtarët me dovocion  e përkushtim kryen edhe një nga urdhrat e Zotit, Haxhin dhe prerjen e Kurbanit. E kjo begaton shpirtrat dhe mendjet tona, fisnikëron zemrat në raport me Krijuesin.
Kjo krijon atmosferë të mirëkuptimit,si individ,familje dhe shoqëri me dinjitet.
Muhamedi a.s.thotë:
“Kush ia largon besimtarit një prej brengave të kësaj bote, Allahu di t’i largoi atij një prej brengave të Ditës së Gjykimit. Kush e lehtëson atë që është në vështirësi, Allahu do ta lehtësojë në këtë botë dhe në tjetrën. Kush ia mbulon një të metë myslimanit, Allahu di t’ia mbuloj të metat atij në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu e ndihmon robin e vet, për sa kohë ky e ndihmon vëllanë e tij. Kush ndjek rrugën për të kërkuar dituri, Allahu do t’ia lehtësoj atij rrugën për në Xhenet. Sa herë që një grup njerëzish mblidhen në një nga shtëpitë e Allahut për të lexuar dhe studiuar Librin e Allahut, mbi ta do të zbres qetësia dhe do ti mbuloj mëshira, engjëjt do t’i rrethojnë dhe Allahu do t’i përmendë ndër ata që do të ndodhen tek Ai. Atë që do ta lënë pas veprat e veta, nuk mund ta gradojë prejardhja e tij.”

Me këtë, feja e pastër bëhet themel i vëllazërisë së fortë, i bashkon ithtarët e vet në të gjitha anët e botës, formon një unitet me themele të forta dhe me mure të larta, të cilit nuk mund t’i bëjnë asgjë shtrëngatat e forta.

Pejgamberi a.s. thotë:
Myslimani është vëlla i myslimanit, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e dorëzon. Kush i ndihmon vëllait të vet, Allahu do t’i ndihmoj atij, Kush ia largon myslimanit një brengë për këtë Allahu do t’ia largoj atij një brengë prej brengave të Ditës së Gjykimit. E kush i mbulon turpet e një muslimani, atij do t’ia mbuloj Allahu Ditën e Gjykimit.” Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
Prej të drejtës së vëllazërisë është, që myslimani të ndjejë se vëllezërit e tij i japin atij mbështetje në gëzim dhe skamje, dhe se fuqia e tij nuk mund të lëvizë në jetë e mëvetësishme, por fuqitë e besimtarëve e mbështesin dhe e ndihmojnë.

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si pjesët e ndërtesës të cilat e përforcojnë njëra-tjetrën.” transmeton Buhariu.
Vëllazëria fetare obligon solidaritetin në mes muslimanëve, e jo mbështetjen e fanatizmave të verbër; ajo thërret për përkrahjen e besimtarëve reformues për realizimin e të vërtetës dhe shkatërrimin e të pavërtetës, për pengimin e keqbërësit dhe ndihmën e atij që i është bërë e padrejtë. Andaj nuk duhet lënë myslimanin të qëndroj vetë në mejdan, por patjetër të qëndrojmë në anën e tij në çdo situatë, me qëllim që, nëse devijon, ta udhëzojmë, nëse e tepron ta ndërpremë, nëse ka nevojë ta ndihmojmë, nëse sulmohet, ta mbrojmë, Kjo, pra është kuptimi i solidaritetit, të cilin e obligoi islami .

Allahu xh sh thotë:
S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar( nga Zoti)” (El-Huxhurat:10)
Pejgamberi a.s. ua ka tërhequr vërejtjen muslimanëve prej këtyre ndyrësive, në hadithin e tij të shkëlqyeshëm: këto janë vepra të shëmtuara, të cilat shkurtëpamësit i duken se nuk paraqesin shumë rrezik, mirëpo, ato, për ata që i kanë parasysh pasojat e tyre, i copëtojnë zemrat dhe i shuajnë ndjenjat e dashurisë.
Pejgamberi a.s. thotë: “Ruajuni prej paragjykimeve, sepse paragjykimet janë gënjeshtra më e madhe;mos spiunoni, mos garoni mes vete, mos e xhelozoni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, por bëhuni robër të Allahut, vëllezër sikur që ju nderoi juve Allahu i Lartësuar…myslimani është vëlla i myslimanit, nuk i bënë dhunë atij, nuk e lë (në baltë) dhe nuk e nënçmon, për një njeri është e mjaftueshme që ta nënçmojë vëllain mysliman. Çdo mysliman, kundruall çdo myslimani, e ka haram pasurinë e tij, gjakun e tij dhe nderin e tij…”
Bashkimi i zemrave dhe ndjenjave,dhe harmonizimi i synimeve dhe metodave, janë prej parimeve më të qarta të Islamit, dhe virtytet më të shquara të muslimanëve të sinqertë…E, nuk ka dyshim se, unifikimi i radhëve dhe bashkimi i ideve, janë themeli i fortë i ekzistencës së ummetit.
Dita e Kurban – Bajramit troket në ndërgjegjen e besimtarit, e rizgjon atë për ta rikthyer te Krijuesi, për të marrë dhe kryer obligime që dalin nga porosit e Kuranit,dhe porosit e Muhamedit a.s. i forcon edhe më ndjenjën e besimit, humanitetin në vepër, zemrën e mbush plotë me mëshirë, dhe ndjenjën për ti dalë në ndihmë atij që ka nevojë.
Dita e Kurban – Bajramit na rikujton edhe më të dashurit tanë të cilët tashmë janë larguar nga kjo botë, lutemi për ata, dhe vizitojmë varrezat pas namazit të Bajramit me qëllim rikujtimi se edhe ne nesër do të jemi banues të varrezave,dhe për shpirtin e tyre këndojmë nga një Fatiha, duke e lutur Allahun që për hatër të ditës së Bajramit, ibadeteve tona të bënë mëshirë edhe më të madhe mbi shpirtrat e tyre ,dhe ti gradoi me xhenet. Vizitojmë të afërmit, farefisin, shokët për t’iu uruar këtë festë kaq madhështore, duke prerë edhe Kurbanin dhe shpërndarë atyre që kanë nevojë.

Vëllezër të nderuar!
Në këtë mëngjes të bukur, nga ky vend i shenjtë dhe para kësaj mase të madhe besimtarësh, më lejoni që nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës t’ju uroj festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit Islam në Kosovë, brenda trojeve tona etnike Shqiptare dhe diasporë.
Me fat ju qoftë festa e Kurban – Bajramit!

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

UNIFIKIMI I FJALËVE DHE RADHËVE NË KOHË KRIZASH

Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. T…